Autoritetet ligjzbatuese italiane, në zonën e portit të Gioia Tauros, në provincën e Rexhio Kalabria, sekuestruan në dy operacione të ndara një ngarkesë kokaine të pastër me peshë 3.128.205 kilogramë.
Lënda narkotike e sekuestruar, para se të hidhej në treg, në fakt mund të ishte prerë nga trafikantët deri në katër herë, duke përfituar rreth 1 miliardë euro të ardhura.
Mediat raportojnë se bëhet fjalë për finalizimin e dy operacioneve të zhvilluara nga Policia Financiare dhe ajo Kufitare. Autoritetet italiane mundën të zbulojnë 2.272,515 kilogramë kokainë fshehur në 3 kontejnerë që transportonin banane, kikirikë dhe piper. Ndërsa 855,690 kilogramë të tjera u gjetën gjatë kontrollit në automjetet në dalje të portit.
Shoferi i një kamioni që transportonte soba elektrike kreu një manovër të dyshimtë që çoi në kontrollin më të detajuar nga ana e autoriteteve doganore e të financës. I dyshuari, u arrestua dhe u dërgua në burgun e Palmit, në dispozicion të organeve të drejtësisë.
Sipas Guardia di Finanza-s italiane, kokaina ishte e cilësisë mjaft të pastër dhe do të përpunohej të paktën katër herë para se të hidhej në treg nga grupet kriminale për të pasur një fitim kolosal.
“Përgjithësisht 3.128,205 kg kokainë e sekuestruar do të sillte në treg një përfitim rreth 1 miliardë euro”, – shkruajnë mediat italiane.
Mënyrat e fshehjes së lëndës narkotike nga ana e grupeve kriminale shfaqen gjithmonë e më të ndryshme dhe në evolucion.
Porti Gioia Tauro në Kalabri konsiderohet porta e privilegjuar e hyrje-daljeve së trafiqeve të paligjshme të mafies kalabreze “Ndrangheta” në trafikun e drogës.
Edhe sasia prej 119 kg kokainë e kapur mes bananeve në Vaqarr, kishte kaluar tranzit pikërisht në Gioia Tauro para e të mbërrinte në Portin e Durrësit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)







Lini një Përgjigje