Gazeta Si – Shqipëria i ka dhuruar 1 milion euro Turqisë si shenjë mbështetje financiare për rindërtimin e qyteteve pas tërmeteve shkatërruese të 6 shkurtit që kanë shkaktuar deri tani rreth 40 mijë viktima.
Kryeministri Edi Rama u bë pjesë e fushatës sensibilizuese televizive “Turqia, një zemër”, që u transmetua njëherësh në 13 kanale televizive në mbarë Turqinë.
Në një lidhje telefonike drejtpërdrejtë, Rama shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave dhe njëherësh deklaroi mbështetjen për popullin turk.
“Jam shumë i nderuar të jem pjesë e këtij programi sensibilizues, si përfaqësues i Shqipërisë. Vendi ynë mbajti të hënën një ditë zie kombëtare, për të shprehur solidaritetin dhe nderuar viktimat e tragjedisë”.
Kryeministri shqiptar tha se nuk do ta harrojnë ndihmën që Turqia i ofroi Shqipërisë në tërmetin e 26 nëntorit të vitit 2019.
“Ne nuk do ta harrojmë çfarë bëri Presidenti Erdogan pas tërmetit të vitit 2019. Ne jemi me popullin turk. Në emër të popullit shqiptar ne duam të dhurojmë 1 milionë euro. E di që kjo nuk është asgjë, pasi nevojat janë shumë-shumë më të mëdha”, – tha ai.
Gjatë fushatës “Turqia një zemër”, vetëm brenda 2 orë e gjysmë u grumbulluan të paktën 5 miliardë euro.
Nga dy tërmetet e 6 shkurtit me magnitudë 7.8 dhe 7.6 me epiqendër në Kahramanmaraş, u prekën mbi 13 milionë njerëz në 10 provinca turke.
Nga lëkundjet e forta sizmike, rreth 35 mijë persona humbën jetën në Turqinë Jugore dhe mbi 5 mijë të tjerë në Sirinë Perëndimore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje