Tirana ka rrëzuar nga “froni” i kryesuesit Teutën, duke fituar 0-2 në stadiumin “Niko Dovana” dhe duke u afruar ndjeshëm me zonën europiane. Tri pikë i ndajnë bardheblutë nga vendi i katërt dhe kjo fitore në transfertë ka një rëndësi të veçantë për ta.
Bregu këtë herë nuk ka mundur të shënojë dhe Teuta ka dalë pa pikë, duke zbritur në vend të tretë. Idriz Batha realizoi një gol shumë të bukur me goditje dënimi në fundin e ndeshjes, ndërsa 5 minuta më pas Erjon Hoxhallari dyfishoi shifrat për Tiranën, që në një farë mënyre i ka bërë një “nder” rivalit të përjetshëm, Partizanit, por edhe Vllaznisë.
Në “Air Albania Stadium” Partizani ka mundur thellë Kukësin, me rezultatin 4-0. Shifrat flasin qartë për atë çfarë prodhoi kjo ndeshje. Të tre sulmuesit e ekipit të kuq, Çinari, Stenio Zhunior dhe Asani, gjetën golin në këtë ndeshje, ndërsa Esat Mala vulosi rezultatin në 4-0. Skuadra e Dajës duket në një formë shumë të mirë, ka shënuar 7 gola në 2 ndeshjet e fundit dhe ka pësuar vetëm 1 gol, statistika domethënëse për kryeqytetasit.
Kukësit tashmë i mbetet që ta përfundojë formalisht kampionatin, pasi ka dalë nga çdo lloj objektivi. Këtë verë do të mungojë në Kupat e Europës. Vllaznia dhe Partizani udhëheqin renditjen me nga 53 pikë, pastaj vjen Teuta me 52 pikë. E hapur mbetet gara edhe në fundin e tabelës sa i takon ekipit të dytë që do të shoqërojë Apoloninë në Kategorinë e Parë dhe atij që do të luajë ndeshje shtesë për mbijetesën.
Java e 29-të e Superiores
Vllaznia-Skënderbeu 2-1
Bylis-Apolonia 1-0
Kastrioti-Laçi 0-0
Partizani-Kukësi 4-0
Teuta-Tirana 0-2

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje