Ka përfunduar me fitoren 3-0 të Teutës ndeshja e Superkupës së Shqipërisë, që shënon edhe nisjen zyrtare të sezonit të ri. Në “Elbasan Arena” ka triumfuar skuadra e trajnerit Edi Martini, që te tre golat i shënoi në pjesën e dytë. Kjo ndeshje hyn në historinë e futbollit shqiptar, sepse për herë të parë është përdorur sistemi VAR.
Pjesa e parë ishte thuajse e barabartë për të dyja skuadrat, me pak raste shënimi. Rezultati është zhbllokuar në pjesën e dytë nga një gjuajtje pa pretendime e Aleksit, që portieri Zogoviç nuk arriti ta ndalte dhe Teuta kaloi në avantazh.
Vetëm pas pak minutash Gruda shënoi edhe golin e dytë për durrsakët, duke i rrëmbyer topin Gurishtës, ndoshta me taka të ngritura, por specialistët e VAR-it nuk ndërhynë në këtë rast. Kur rezultati ishte 2-0, Vllaznia shënoi me Aralicën, por goli u anulua për pozicion jashtë loje nga VAR-i. Përsëritja e aksionit në fakt la shumë dyshime.
Dhe në fund Sebino Plaku do të realizonte edhe golin e tretë për Teutën, që e nis kështu në mënyrën më të mirë sezonin, me një trofe të fituar. Edhe pse ka humbur shumë nga titullarët që fituan titullin, skuadra durrsake mbetet një kockë e fortë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje