Futboll

Video/ Teuta ende me pushime, moldavët bëjnë qejf me gola në Durrës

Teuta duket se është ende me pushime, sidomos mbrojtësit e saj. Kampionët e Shqipërisë janë turpëruar në ndeshjen e parë të turit të parë eliminator të Ligës së Kampionëve, ku kanë humbur thellë, 0-4. Durrsakët nuk kanë mundur të bëjnë asgjë përballë Sherif Tiraspolit, kampionëve të Moldavisë, duke prerë shpresat për kualifikim.

Skuadra moldave e pati më të lehtë sesa mund të kishte menduar ndeshjen në Durrës. Luvanor shënoi dy gola që në pjesën e parë për miqtë, duke përfituar nga përgjumja e mbrojtjes së Teutës, ndërkohë që për golin e parë pati edhe pretendime për pozicion jashtë loje nga durrsakët.

Në pjesën e dytë Traore realizoi një gol të bukur nga jashtë zonës, duke trefishuar rezultatin. Një minutë para fundit të ndeshjes, Kastaneda vulosi rezultatin në 0-4.

Teutën nuk e ndihmuan as përforcimet nga Kombëtarja, Taulant Seferi dhe Sherif Kallaku, të dy titullarë në “Niko Dovana”. As ndërrimet e bëra nga trajneri Martini nuk bënë të mundur shënimin e të paktën një goli, atij të nderit. Me këtë rezultat, durrsakët e kanë të pamundur kalimin e turit të parë dhe ndeshja e kthimit do të jetë formalitet.

Formacionet e dy skuadrave. Gazeta Si, 7 korrik 2021

Ishte humbja e dytë e skuadrave shqiptare në Europë, pas asaj të Laçit ndaj Podgorisës në Ligën e Konferencës. Në këtë kompeticion marrin pjesë edhe Partizani e Vllaznia, që luajnë nesër ndeshjet e tyre të para.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë