Teuta është mbretëresha e futbollit shqiptar. Skuadra durrsake është shpallur kampione e vendit për herë të dytë në historinë e saj, pas titullit të parë të fituar në vitin 1994. Teuta grumbulloi 66 pikë në 36 javë, po aq sa Vllaznia, por në ndeshjet direkt është më mirë. Vllaznia, Partizani dhe Laçi plotësojnë 4-shen që shkon në Kupat e Europës, Apolonia dhe Bylisi bien direkt nga kategoria, kurse Kastrioti luan ndeshje shtesë me Tomorin për qëndrimin. Këto janë verdiktet e javës së fundit.
Nuk kishte asnjë dyshim se Teuta do ta mundte Apoloninë, madje edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, kishte zënë vend në stadiumin “Niko Dovana”, duke u bërë gati për ceremoninë e titullit, edhe pse ishin organizuar tre të tilla, por në Shkodër e Ballsh duket se ishin thjesht formale.
Teuta e ka festuar titullin me goleadën 6-1 ndaj Apolonisë, me gola të shënuar nga Djevi Bregu (3), Lorenco Vila, Arapi dhe Plaku. Fierakët dhanë vetëm një sinjal me Mihanën, por vetëm kaq. Ata e mbyllën ndeshjen me 9 vetë, pas kartonëve të kuq të Rrepajt dhe Sotës. Të kota shpresat e Vllaznisë dhe Partizanit për titullin kampion, ai ishte nisur drejt Durrësit.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Edi Martini ka zhvilluar një kampionat konstant, ku nuk ka falur ndaj kundërshtarëve më të dobët dhe ndaj rivalëve thuajse ka ndarë pikët. Durrsakët nuk është se kanë yje në formacion, por ata që duhen veçuar nga grupi janë Dejvi Bregu, autor i disa golave vendimtarë në ndeshje të caktuara, kapiteni Renato Arapi, mbrojtësi me përvojë Rustem Hoxha, Lorenco dhe Emiljano Vila, pa mohuar aspak vlerat e të tjerëve.
Pas festës së titullit, në Durrës duhet të mendojnë për përfaqësimin në Ligën e Kampionëve, ku trajnerit Edi Martini me siguri do t’i duhen përforcime, nëse synohet kalimi i tureve në këtë kompeticion.
Vllaznia ka mundur 2-0 Laçin, duke e mbyllur në vend të dytë Superioren, por ka mundësinë për të fituar trofe në finalen e Kupës së Shqipërisë ndaj Skënderbeut. Në vend të tretë renditet Partizani, që fitoi 2-4 ndaj Bylisit dhe pas tij Laçi. Kurbinasit do të marrin pjesë në kupat e Europës, pasi nëse kupën e fiton Vllaznia, liron një vend në kampionat, ndërsa Skënderbeu është i dënuar nga UEFA dhe fitimi i kupës do të ishte vetëm për prestigj.
Nga Superiorja bien direkt Apolonia dhe Bylisi, kurse Kastrioti, që mundi 1-2 Kukësin, duhet të sigurojë qëndrimin në ndeshjen shtesë me Tomorin e Beratit. Në elitë kthehet pas 9 vitesh Dinamo, ndërkohë që surprizën e ka bërë Egnatia, duke siguruar një “biletë” për në Superiore sezonin ne ardhshëm.
Superiore, java e fundit
Sot
Bylis-Partizani 2-4
Tirana-Skënderbeu 3-1
Kukësi-Kastrioti 1-2
Teuta-Apolonia 6-1
Vllaznia-Laçi 2-0

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje