Vetëm 24 orë ka qëndruar në vend të parë Partizani, pasi pas ndeshjeve të sotme është kthyer gjithçka si më parë. Të tre rivalët e tjerë në garën për titullin kampion në Superiore, Teuta, Vllaznia dhe Laçi, kanë fituar. Durrsakët dhe shkodranët kanë fituar në transfertë, kurse laçianët në shtëpi, çka ka bërë që edhe në fundin e tabelës situata të mbetet e palëvizshme.
Ndeshja në Fier rezultoi një “piknik” për Vllazninë, që përmirësoi golaverazhin në tabelën e klasifikimit. Plot 6 herë shënuan shkodranët në portën e Apolonisë, që tashmë duket e dorëzuar krejtësisht dhe është pajtuar me rënien një kategori më poshtë. Vlen të theksohet se ka shënuar në këtë ndeshje edhe djali i trajnerit Tomas Bërdariç të Vllaznisë, Tim Bërdariç.
Teuta ka rimarrë vendin e parë falë një penalltie të fituar në fundin e pjesës së parë, që Bregu e ka kthyer në gol. Korçarët u ndalën nga traversa në këtë sfidë, ndërkohë që kanë pretendime edhe për një penallti. Teuta shkon në 52 pikë pas kësaj fitoreje, 2 pikë para Vllaznisë dhe Partizanit.
Është kthyer te fitorja edhe Laçi, që ka mundur Bylisin 2-1. Të tre golat u shënuan në pjesnë e dytë, ku për kurbinasit realizuan Deliu dhe Prengaj, ndërsa Ndreca shënoi golin e nderit për ballshiotët në kohën shtesë.
Superiore, java e 28-të
Të shtunën
Kukësi-Tirana 2-2
Partizani-Kastrioti 3-1
Sot
Skënderbeu-Teuta 0-1
Apolonia-Vllaznia 0-6
Laçi-Bylis 2-1

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje