Futboll

Video/ Tifozët në delir për festën e madhe, Interi ngre lart trofeun

Dita e festës së madhe për Interin dhe tifozët e tij. Para ndeshjes me Udinezen në “Meazza”, momente deliri për fansat zikaltër, sidomos kur autobusi mbërriti në stadium. Në shkallët e stadiumet janë lejuar 1000 tifozë, kurse jashtë tij kanë qenë rreth 4500 tifozë.

Pas festës së improvizuar më 2 maj dhe përqafimit në distancë mes tifozëve dhe kampionëve të Italisë, sot ishte momenti për të ngritur në qiell kupën e 19-të të titullit. Festa është organizuar në përputhje të plotë me rregullat e vendosura nga autoritetet.

Prej një muaji grupimi “Curva Nord” ka organizuar në detaje festën. Një balonë e gjatë 15 metra me logon e tyre ka drejtuar tifozët drejt “Meazza”-s dhe është stacionuar mbi unazën e tretë.

Pas fitores 5-1 ndaj Udinezes, ekipi ka ndërruar fanellat dhe është ngjitur në skenë, bashkë me lojtarët dhe stafin teknik edhe Steven Zhang e drejtuesit e tjerë. Trofeun e ka marrë i pari në duar kapiteni Handanoviç, pastaj të gjithë me radhë. Perisiç, Shkriniar, Lautaro, Vesino dhe Hakimi mbanin në krahë edhe flamurin e vendit të tyre, kurse Lukaku, që fanellën e mbante në duar, ka filmuar gjithçka. Radhë e gjatë për të bërë një foto me trofeun, që është një i vetëm…

Ishte një titull plotësisht i merituar për Interin, që ka bërë diferencën ndaj rivalëve të Milanit dhe Juventusit. Trajneri Antonio Konte i ka marrë maksimumin grupit të lojtarëve, ndërsa njeriu i titullit, përtej forcës së grupit, është pa dyshim Romelu Lukaku, sulmuesi belg që ka tërhequr skuadrën me golat e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë