Futboll

Video/ Tirana në “koma”, Teuta dhe Laçi i afrohen ndjeshëm kreut

Me 26 pikë në 20 ndeshje, Tirana është më afër zonës së rënies nga kategoria se asaj të kreut. Kampionët në fuqi kanë marrë një tjetër goditje të fortë në fushën e tyre, ku janë mundur 0-1 nga Teuta. Pas disfatës me Kukësin po në “Selman Stërmasi”, vjen kjo humbje që e fut Tiranën në gjendje “kome”.

Me ndërrimin e trajnerit dhe afrimet e merkatos së dimrit situata nuk është përmirësuar aspak te bardheblutë, që vazhdojnë të humbin terren. Ndeshja e sotme me Teutën u vendos nga një gol i shënuar nga Lorenco Vila në pjesën e parë. Tirana ishte afër barazimit me Muçin, të cilit ia mohuan golin portieri Frashëri dhe shtylla. Hoxhallari e la skuadrën me 10 vetë në pjesën e dytë, pasi u ndëshkua me karton të kuq.

Teuta kishte disa mundësi për të dyfishuar, ku veçohet ajo e Grudës, që me portën bosh gjuajti jashtë. Durrsakët mbajnë vendin e dytë tashmë me 36 pikë, 4 më pak se Vllaznia që luan nesër me Skënderbeun. Po në këtë kuotë pikësh është edhe Laçi, që mundi Kastriotin me golin e Regi Lushkjas. Teuta dhe Laçi kanë parakaluar Partizanin, që ndeshjen e tij e ka nesër me Kukësin.

Derbi i mbijetesës në Fier është fituar nga miqtë nga Ballshi, 0-1. Goli i Antoni ka bërë që Bylisi ta parakalojë Apoloninë në renditje dhe të shtojë shanset e qëndrimit në Superiore. Për fierakët është një humbje me kosto ndaj një rivali direkt.

Superiore, java e 20-të
Sot
Tirana-Teuta 0-1
Laçi-Kastrioti 1-0
Apolonia-Bylis 0-1
Nesër
Skënderbeu-Vllaznia
Partizani-Kukësi

Tabela e renditjes e Superiores. Gazeta Si, 20 shkurt 2021

Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë