Sfida mes dy vendeve të para të Superiores, Vllaznisë dhe Teutës, është fituar 1-0 nga shkodranët, të cilët tashmë janë shkëputur 9 pikë nga durrsakët. Ndeshjen e ka vendosur një gol i sulmuesit Ardit Hoxhaj, shënuesit më të mirë të Vllaznisë dhe Superiores.
Gjatë gjithë kohës ka rënë një shi i dendur, që gjithsesi nuk ia ka prishur bukurinë ndeshjes në stadiumin “Loro Boriçi”. Shkodranët shënuan në pjesën e dytë, pas një aksioni në qendër, ku Hoxhaj i shpëtoi bukur mbulimit të mbrojtjes dhe më pas kaloi edhe portierin Frashëri. Disa minuta më pas, sulmuesi vlonjat e la skuadrën e tij me 10 vetë, pas një ndërhyrjeje të rëndë ndaj Pjeshkës, që u ndëshkua me karton të kuq. Në këtë moment pati edhe tension mes lojtarëve të dy skuadrave.
Vllaznia përballoi mirë më shumë se 20 minuta më një lojtar më pak, duke marrë 3 pikë të rëndësishme në fund. Teuta, pavarësisht ndërrimeve të bëra nga trajneri Edi Martini, nuk pati qartësi në sulm për të gjetur golin e barazimit. Durrsakët mbeten në vend të dytë, por nesër mund të parakalohen nga Partizani.
Katër ndeshjet e tjera të javës së 13-të të Superiores do të zhvillohen nesër. Tri prej tyre në orën 13:30, dhe konkretisht Kastrioti-Skënderbeu, Laçi-Kukësi dhe Bylis-Tirana, kurse Partizani-Apolonia zhvillohet në orën 16:45, në Elbasan.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje