Futboll

Video/ Vllaznia mbyll me trofe sezonin, Kupa e Shqipërisë shkon në Shkodër

Sezoni perfekt për Vllazninë do të ishte me titullin kampion, por atë ia rrëmbeu Teuta dhe shkodranët nuk mund të gabonin në finalen e Kupës së Shqipërisë ndaj Skënderbeut. Një gol i brazilianit Da Silva në pjesën e parë ka bërë që Kupa e Shqipërisë të shkojë në Shkodër, duke lumturuar gjithë tifozët kuqeblu.

Në finalen e zhvilluar në “Air Albania”, ku janë lejuar 1000 tifozë, Vllaznia ka treguar se e meritonte një trofe këtë sezon. Ka bërë një ndeshje më të mirë se Skënderbeu dhe në fund ka festuar. Momenti vendimtar i ndeshjes ishte minuta e 39-të, kur pas një pasimi nga e majta të Isaevskit, Da Silva ka goditur dhe i ndihmuar edhe nga një devijim i Vitijas, e ka kaluar skuadrën e tij në avantazh.

Korçarët u përpoqën në pjesën e dytë, por pa mundit t’i barazonin shifrat. Në fund Zguro e la skuadrën me 10 vetë, pasi u ndëshkua me të kuq për një ndërhyrje të ashpër nga prapa ndaj Gurishtës. Për Skënderbeun mund të konsiderohet sukses arritja deri në finale e Kupës së Shqipërisë, duke ditur vështirësitë që ka kaluar.

Trajneri Tomas Bërdariç konfirmon se është njeriu i duhur për Vllazninë. Që në sezonin e parë në krye të saj ai ka arritur t’i japë një trofe dhe mbi të gjitha t’i kthejë skuadrës shkodrane lojën e bukur.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë