Vllaznia ruan diferencën prej 9 pikësh me Partizanin, pas barazimit 0-0 në “Elbasan Arena”. Kryesuesit e renditjes i kanë shpëtuar humbjes dhe për këtë i ka ndihmuar lluca në zonën e vogël të portierit Zogoviç, që e ka ndaluar topin e gjuajtur nga sulmuesi Cara të shkojë drejt rrjetës.
Partizani ka pasur një dominim të lehtë territorial në këtë ndeshje dhe ka kërkuar më shumë se Vllaznia, por me pak raste konkrete para portës shkodrane. Vllaznia rrezikoi e para me Imerin dhe më pas u mundua me ndonjë sulm sporadik, duke u kujdesur më shumë për mbrojtjen. Nga loja e shkodranëve u kuptua se ishin të kënaqur edhe me një barazim, sepse nuk lejonin rivalin direkt të afrohej.
Në minutën e 60-të skuadrat mbetën me nga 10 vetë, sepse Bitri i Partizanit dhe Krymi i Vllaznisë u ndëshkuan me karton të kuq nga gjyqtari Hamiti, pas një përplasjeje mes tyre në zonë. Trajnerët Daja dhe Bërdariç ndërhynë nga stoli, të kuqtë insistuan më shumë në fundin e ndeshjes, duke e mbyllur Vllazninë në zonën e saj, por goli nuk do të dilte në dritë edhe për shkak të terrenit.
Sapo ishin sinjalizuar 3 minutat shtesë, Jasir Asani bën gjithçka mirë në të djathtë, kroson në zonë, ku Cara, i pamarkuar, godet drejt portës, por topi mbetet në llucë, me portierin Zogoviç të mundur. Përfundimisht, barazim që i vlen Vllaznisë, tashmë në kuotën e 37 pikëve, kurse Partizani ka 28 pikë. Ky ishte barazimi i dytë ardhazi, si për Partizanin, ashtu edhe për Vllazninë.
Superiore, java e 17-të
Sot
Laçi-Teuta 1-0
Apolonia-Tirana 0-1
Partizani-Vllaznia 0-0
Dje
Skënderbeu-Kukësi 0-4
Kastrioti-Bylis 1-0
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje