Bota

Videoja me të gjitha gënjeshtrat e Boris Johnson merr miliona klikime

Dhjetë milionë kontakte: një video dy minuta, e bërë nga një avokat dhe gazetar australian, Peter Stefanoviç, mbi paraqitjen e të dhënave të pasakta nga kryeministri Boris Johnson në Parlament, është bërë virale.

E publikuar në gusht të vitit të kaluar, pamjet janë shpërndarë qindra mijëra herë në platformat Facebook, Twitter dhe Instagram.

Nga shkurtimet e emisioneve, te rritja ekonomike, nga pagat e infermierëve, te shpenzimet e kujdesit shëndetësor, nga varfëria në Mbretërinë e Bashkuar, te aplikacioni për gjurmimin e Covid 19: Stefanoviç përdori shifrat e dhëna publikisht nga qeveria dhe agjencitë e saj, për të provuar se kryeministri gënjeu në Dhomën e Komunëve.

Gënjeshtra apo gabime? Stefanoviç nuk ka dyshime. “Ne kemi arritur në një pikë, ku reputacioni i institucioneve tona po prishet nga një kryeministër që nuk mund të thotë të vërtetën”.  

Sipas kodit ministror, ​​kushdo që paraqet një të dhënë të gabuar në Parlament, ka për detyrë t’i korrigjojë shpejt. Ministri që mashtron ose çorienton Parlamentin, është i detyruar të japë dorëheqjen.

“Kryeministri nga ana tjetër, – nënvizoi Stefanoviç, – duket se ka adoptuar një qëndrim që ka kapërcyer kufijtë e realitetit. Meqenëse këto fakte nuk janë korrigjuar, ato hyjnë në procesverbalin e Parlamentit (regjistrat Hansard). Nuk është e drejtë, apo jo?”.

Fushata e Stefanoviç, për një vëzhgim më të ashpër se fjalët e kryeministrit, nuk është e vetmja në progres.

Peter Oborne, ish-gazetar i “Daily Telegraph”, autor i librave të tillë si, “The rise of Political Lying” dhe “The Assault on the Truth”, rregullisht i dërgon Parlamentit një listë të gjatë të gabimeve të gjetura në fjalimet e kryeministrit dhe ministrave, por asnjëherë nuk ka marrë një përgjigje deri më tani.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë