Në Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës për viktimat e Holokaustit, nën kujdesin e veçantë të presidentit Ilir Meta u zhvillua sot paradite ceremonia e shpalljes së Shqipërisë “Shtëpi të Jetës” nga Fondacioni Ndërkombëtar “Raoul Wallenberg” që u kurorëzua me përurimin e pllakatit.
Duke iu drejtuar pjesëmarrësve të shumtë ku ishin të pranishëm përfaqësues të trupit diplomatik, deputetë të Grupit të Miqësisë Shqipëri-Izrael, ministra, krerë të bashkësive fetare si dhe familje shqiptare që kanë shpëtuar dhe mbrojtur hebrenjtë gjatë Holokaustit, presidenti Meta theksoi: “Dëshiroj të përgëzoj e të falënderoj Fondacionin Ndërkombëtar ‘Raoul Wallenberg’ për shpalljen e Shqipërisë ‘Shtëpi të Jetës’.
Kjo ngjarje, jashtëzakonisht kuptimplote, nderon dhe respekton të gjithë shqiptarët.
Në mënyrë të veçantë ky akt nderon ata burra dhe gra shqiptare, që të udhëhequr nga kodi ynë shumëshekullor zakonor i mikpritjes dhe Besës, nën parimin se ‘Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut’, strehuan bujarisht e pa u kursyer, vunë në rrezik jetën e tyre dhe atë të familjeve, duke shpëtuar nga përndjekja dhe shfarosja e sigurt, qindra e mijëra hebrenj gjatë Holokaustit, njërës prej periudhave më të errëta të njerëzimit”.
Po ashtu, presidenti Meta u shpreh se “Genocide dhe veprime të tilla çnjerëzore ndaj kujtdo që i përket një feje, etnie apo kombësie të ndryshme, nuk mund të ndodhin dhe mbi të gjitha, nuk duhen lejuar të ndodhin kurrsesi në botën ku jetojmë të gjithë sot”.
Zëvendëspresidenti i Fondacionit Ndërkombëtar “Raoul Wallenber”, Daniel Rainer në fjalën e tij vuri në dukje se: “Në Shqipëri nuk është dëgjuar të ketë pasur as edhe një rast të vetëm denoncimi.
Mësuam se kjo përpjekje shpëtimi nuk ishte rastësi. Përkundrazi! Ky gjest fisnik është pjesë e kodit gjenetik shqiptar, të njohur si BESA, fjala e nderit që shpjegon mikpritjen njerëzore të shfaqur nga populli shqiptar ndaj të përndjekurve, pa pritur e pa kërkuar asgjë në këmbim dhe duke u përballur me rrezikun e madh për jetën e shpëtimtarëve si dhe familjet e tyre.
Kjo është arsyeja pse Fondacioni ynë e shpall Shqipërinë, vendin dhe popullin e saj, si ‘Shtëpia të Jetës’. Asnjë vendi tjetër nuk iu është njohur kurrë kjo njohje e vlerësim.
Heroizmi i popullit shqiptar duhet t’i shpaloset e bëhet me dije mbarë botës”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje