Politike

Viti 2021, Yuri Kim sjell ngjarjet më të rëndësishme: Reforma në drejtësi nuk ishte e përsosur, por ajo ecën përpara (Video)

Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim, uroi shqiptarët për Vitin e Ri përmes një video-mesazhi.

Ambasadorja Kim ka përmbledhur ngjarjet kryesore të vitit duke u fokusuar tek reforma në drejtësi.

“Të dashur miq, është e vështirë të besosh se vitit 2021 tashmë po i vjen fundi. Ishte padyshim një vit sfidash të jashtëzakonshme, ndërsa bota vazhdoi të përballej me pandeminë e COVID-19 dhe teksa Shqipëria vijoi rimëkëmbjen pas tërmetit të 2019-ës dhe u përball me përmbytjet dhe zjarret e këtij viti. Pavarësisht këtyre dhe sfidave të tjera, Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria, jo vetëm festuan 30 vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike, por dhe bëmë përparim historik drejt forcimit të demokracisë.

Me krenari ju mbështetëm teksa ecët përpara në zbatimin e reformës në drejtësi, Gjykata Kushtetuese, pas tre vitesh përgjumjeje, filloi të funksionojë në fillim të këtij viti, duke iu bashkuar elementëve të tjerë të drejtësisë shqiptare, përfshirë SPAK dhe BKH. Falë përkushtimit të tyre, kemi filluar të shohim rezultate reale dhe pozitive në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe pandëshkueshmërisë.

Reforma në drejtësi nuk ka qenë e shpejtë apo e përsosur, por ajo ecën përpara duke sjellë më afër vendit që ju takon pranë Bashkimit Europian dhe SHBA-së. Qytetarët gjatë këtij viti ushtruan të drejtën demokratike për të votuar.

Pas zgjedhjeve, OSBE-ODIHR hartoi një raport ku vuri në dukje mangësi dhe parregullsi, dhe ne mirëpresim që t’ju mbështesim në përpjekjet për tu përgjigjur rekomandimeve të ODIHR-it”, thekson ndër të tjera ambasadorja Kim në video-mesazhin e saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë