Politike

Vizita e Erdogan në 554-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut, Rama: Një rastësi, inatin tim mos ia nxirrni Turqisë mike

Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur kritikëve të shumtë pse ftoi presidentin e Turqisë Recep Tayp Erdogan në 554-vjetorin e ndarjes nga jeta të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Në një status në Fb, Rama thotë se përkimi i datave ishte rastësi, duke shtuar se ai nuk ka lidhje me rrethimin e Krujës, pasi Turqia ka firmosur me Shqipërinë “Marrëveshjen e Miqësisë së Përjetshme” 100 vite më parë. Në postimin e tij të gjatë, Rama thekson se inatin ndaj tij nuk i duhet nxjerrë një vend mik si Turqia.

“Duke komentuar vizitën e presidentit të Republikës së Turqisë, disa miq këtu nuk u kursyen në sharje e në mallkime “në emër të Skënderbeut”! Rastësia e desh që vizita e djeshme të përkonte me ditën e vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, çka e mësuan me këtë rast plot prej atyre që rendin t’i fryjnë zjarrit të patriotizmit digjital apo opozicional, i cili ndizet sa herë unë takohem me “pushtuesin” nga Ankaraja”.

Në komentin e tij, Rama pyet se “çfarë lidhje ka me rrethimet e Krujës dhe me qëndresën e Gjergj Kastriotit, Republika e Turqisë, e cila fill pas formimit të saj ka firmosur me Shqipërinë, 100 vjet më parë, në vitin e largët 1923, ‘Marrëveshjen e Miqësisë së Përjetshme’?”.

Ai e cilëson Turqinë mike të sprovuar të vendit tonë duke kujtuar rastin e ardhjes së vaksinave në një kohë kur ai thotë se Ballkani mbeti si peshku pa ujë nga rrethimi i armikut të padukshëm.

“Ku lidhet Turqia moderne, anëtare e NATO-s, mike e sprovuar në më shumë se një rast e Shqipërisë dhe shqiptarëve, e si ngatërrohen me shigjetat e rrethimtarëve të Krujës, vaksinat e ardhura në Shqipëri nga ky shtet mik, falë kujdesit të veçantë mikut tim, Presidentit Erdoğan, në kohën kur i tërë Ballkani mbeti si peshku pa ujë, brenda rrethimit mbytës të Armikut të Padukshëm? Si mund të lidhen me luftën e pesë e kusur shekujve më parë, punëtorët e palodhur turq dhe Presidenti i Republikës së Turqisë, të cilët vitin e fundit ndërtuan një lagje të re me 522 shtëpi për familjet e prekura nga tërmeti apo një spital të ri ultramodern për njerëzit e këtij vendi?”.

Rama bën thirrje që inati mes njëri-tjetrit i ka penguar shqiptarët të ecin përpara, duke u reshtuar në një rrugë pa krye.

“Nuk e di a e ka ndonjë popull tjetër atë shprehjen, “për inat të s’ime vjehrre shkoj e fle me mullixhinë”. Por dihet me siguri, se përgjatë historisë së tij, ky popull ka parë shumë dyndje shqipesh të inatosura në derën e mullixhiut. Inati ndaj njëri-tjetrit na ka penguar rëndom, ne shqiptarëve, të shohim të mirën e shtëpisë sonë të përbashkët. Kjo e rreshtimit të djeshëm të shumëkujt (që inatin në fakt e ka me qeverinë e me mua), në ushtrinë imagjinare të mbrojtësve të kështjellës sonë nga pushtuesit turq, ishte një ilustrim i radhës për rrugën pa krye ku të shpie ‘inati ndaj vjehrrës’”.

Kjo urrejtje, sipas tij sportive, buron nga “tifozllëku i sëmurë partiak, mllefi i pangushëllueshëm “intelektual” dhe fatkeqësisht, ndonjëherë edhe nga budallallëku islamofobik”.

Megjithatë, këto “nuk e ndryshojnë as përmbajtjen e miqësisë tradicionale me popullin turk, as kursin e partneritetit strategjik me Republikën e Turqisë”.

Rama u kthen përgjigje edhe atyre që paralelizojnë pritjen që ai i bëri Erdogan në Shqipëri me pritjen që Papa i bëri kryeministrit shqiptar në Romë, duke theksuar se Shqipëria nuk mund të jetë më katolike se Papa në politikën e saj të jashtme, por “trimi i mirë me shokë shumë”.

“Dikush ndër të inatosurit e djeshëm denonconte hipokrizinë time. Sipas tij isha vetëdemaskuar nga mikpritja që i rezervova Presidentit Erdoğan në Tiranë, pas mikpritjes që më rezervoi Papa Françesku në Romë. Në fakt jo, ky shembull tregon krejt të kundërtën e hipokrizisë; vërtetësinë dhe thellësinë e marrëdhënieve të posaçme personale për shkak të detyrës”, shkruan kryeministri mes të tjerash.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë