Avioni i Kancelares Angela Merkel u ul në Rinas rreth orës 10:00, për t’i dhënë udhë vizitës 5-orëshe të saj në Tiranë, të ngjeshur me takime. Merkel u prit në Aeroportin e Rinasit nga ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka. E kujdesshme për të respektuar masat anti-Covid, Kancelarja nuk shtrëngoi duart me asnjë prej delegacionit pritës që kishte dalë në aeroport.
“Nder dhe kënaqësi t’i uroja mirëseardhjen Kancelares Gjermane, Angela Merkel, e cila mbërriti në Tiranë për takime të rëndësishme me Kryeministrin Edi Rama dhe liderët e rajonit. Mirënjohje për mbështetjen e saj për integrimin në BE të Ballkanit Perëndimor si dhe për forcimin e bashkëpunimit dhe zhvillimin e rajonit tonë”, deklaroi ministrja Xhaçka.
Fill pas uljes, autokolona që shoqëron Kancelaren iu drejtua Pallatit të Brigadave për t’u takuar me Kryeministrin Edi Rama. Takimi kokë më kokë nisi me dorëzimin e medaljes së mirënjohjes nga ana e Kryeministrit Edi Rama, pak minuta pas orës 10:35 minuta. Takimi ishte parashikuar që të zgjaste 30 minuta, por ai e tejkaloi me 15 minuta këtë limit kohor të publikuar në agjendën e vizitës së Kancelares.
Pas këtij takimi, Rama i pari dhe më pas Kancelarja Merkel iu drejtuan Aeroportit të Rinasit për t’u ndalur të Tirana Business Park, ku iu bashkuan edhe kryeministrat e vendeve të tjera të rajonit për takime me temë kryesore integrimin në BE dhe bashkëpunimin rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit, një nismë ku vetë Angela Merkel është investuar personalisht.
Pjesëmarrës në këto takime janë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, kryeministri i Bosnjës, Zoran Tegeltija, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç dhe ai malazez Zdravko Krivokapiç.
Kancelarja këtu u takua kokë më kokë me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe takime të përbashkëta, që në total parashikohet të zgjasin deri rreth orës 15:00. Në këtë kohë është përcaktuar një konferencë për shtyp mes Ramës dhe Merkelit, që mbyll vizitën e fundit të kancelares gjermane në vendin tonë.
Të hënën, Merkel ndaloi në Beograd. Duke folur krah për krah me presidentin serb, Aleksandër Vuçic kancelarja gjermane, Angela Merkel deklaroi të hënën në Beograd se një nga qëllimet e Gjermanisë është që të shohë anëtarësimin e të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, por shtoi se të gjitha ato kanë një “rrugë të gjatë” përpara.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)







Lini një Përgjigje