Ndryshe nga kryeministri Edi Rama që e përcolli takimin me Presidenten në detyrë të Kosovës, Vjosa Osmani fare ftohtë, vetëm përmes disa fotosh, kryetari i opozitës, Lulzim Basha, bëri një pritje thuajse ceremoniale.
Për herë të parë vendosi dy podiume në oborrin e selisë së PD shoqëruar edhe me flamujt e dy vendeve respektive.
Basha, që në fillim të fjalës së tij, përcolli do premtime që kryesisht bazoheshin tek kërkesat që Osmani trumbetonte prej dy ditësh në Tiranë; Se pas 25 Prillit, Kuvendi do të votojë rezolutën për dënimin e krimeve serbe në Kosovë, heqja e traut në “Rrugën e Kombit”, rikthim i bashkëpunimit në nivelet më të larta Kosovë-Shqipëri, si dhe negociimi me qeverinë kosovare për mosvendosjen e asnjë pengese tarifore në autostradën “Ibrahim Rugova” apo e njohur ndryshe si autostrada Morinë-Prishtinë.

“Mirënjohje e thellë për mesazhet e qarta të Znj. Osmani. Si kryeministër nesër dhe si nip i Kosovës, shumë shpejt do të keni në krahun tuaj fuqinë tonë të plotë”, premtoi Basha.
Edhe Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani nga ana e saj u kujdes të veçonte mikëpritjen që i është bërë asaj nga Presidenti Ilir Meta dhe kryetari i opozitës Lulzim Basha dhe jo vetëm, por edhe për premtimin e qartë që kishte marrë nga ana e tyre për miratimin e rezolutës në Kuvend për gjenocidin serb ashtu sicc kishte bërë edhe Kosova do kohë më parë.
“Ne kërkojmë që të dënohet gjenocidi serb në Kosovë me anë të një rezolutë. Duhet të dënojmë krimin serb, pa asnjë pikëpyetje. Nuk ka pikëpyetje që Serbia ka kryer gjenocid. Serbia nuk ka dashur vetëm pastrim etnik, por synimi serb ka qenë që të shfarosë popullin shqiptar. Ne jemi këtu ku jemi, për shkak të luftës së UÇK-së, për shkak të Shqipërisë dhe aleancave botërore. Të mos lejojmë që Serbia të ketë sukses, sepse ata po falsifikojnë historinë. Historia ka ndodhur para syve të gjithë botës. Pamjet e masakrës janë regjistruar nga e gjithë botë. Ne nuk kemi nevojë ta ekzagjerojmë atë që ka ndodhur. Edhe ashtu siç ishte, ishte e tmerrshme. Ishte përtej çdo gjëje që mund ta imagjinojë koka e një njeriu normal”, tha Osmani.
“Sepse pa e njohur të vërtetën, vijoi ajo, pa pasur drejtësi asnjë nga shtetet tona nuk do mund të ecë përpara dhe nuk mund të kemi paqe dhe stabilitet në rajon”.
Bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë, tha Osmani, nuk duhet të kenë barriera.
Osmani u kujdes të thoshte se kërkesat e saj janë në emër të qytetarëve të Kosovës
“Është detyrë e imja parësore që të flas me zërin që ma kanë dhënë qytetarët e Kosovës, të paraqes detyrat legjitime dhe të kërkoj bashkëpunimin e sinqertë mes Kosovës dhe Shqipërisë, një bashkëpunim që nuk duhet të ketë barrierë ose keqkuptim. Edhe nëse ato krijohen të punojmë bashkërisht që t’i eliminojmë, sepse mbi të gjitha jemi shqiptarë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)






Lini një Përgjigje