Politike

Dialogu me Kosovën, Basha “çertifikon” qëndrimet e Thaçit

Në vizitën e tij zyrtare në Kosovë, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, premtoi përmes një konference për shtyp të zhvilluar me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, se do të heqë taksën e Rrugës së Kombit kur të vijë në pushtet.

Basha e filloi vizitën e tij zyrtare me një takim me kryeministrin e Kosovës, për të vijuar më pas me takimin me Presidentin Hashim Thaçi dhe të tjerë drejtues të lartë të partive të Kosovës.

Gjatë konferencës për shtyp me kryeministrin e Kosovës, Basha kujtoi se Prishtina është qyteti i tij i dytë. “Kam jetuar 4 vjet, 2000-2004 dhe kam marrë titullin “Qytetar Nderi” i Prishtinës”, tha ai. Ai nënvizoi se ndjek me shqetësim situatën e pandemisë, por ishte i inkurajuar nga paketa e masave që qeveria e Kosovës ka marrë.

Basha falenderoi Hotin për rolin dhe lidershipin për rinisjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Ai shprehu mbështetjen e plotë për dialogun.

“Do të ketë vetëm një përfundim, njohjen e Republikës së Kosvoës dhe Republikës së Serbisë”, shtoi ai.

“Tek unë, PD dhe opozita do të keni një partner të devotshëm. Punët e nisura me Rrugën e Kombit, liberalizimin ekonomik, të vazhdojnë më tej. Bashkëpunimi ynë ka për qëllim të prodhojë më shumë mirëqenie dhe vende pune për qytetarët tanë në Shqipëri dhe Kosovë.

Një ndër vendimet e para si kryeministër i zgjedhur do të jetë heqja e taksës dhe e traut në rrugën e Kombit. Vendim i padrejtë që rëndon mbi ekonominë e Kosovës dhe të Shqipërisë”, tha ai

Një tjetër mesazh jo pak të rëndësishëm, Basha përcolli edhe në takimin me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

“…I shpreh mbështetjen time presidentit Thaçi për qëndrimet konsekuente të tij si kreu i shtetit në mbështetje të dialogut, në mbështetje të kohezionit të gjithë forcave politike në Kosovë. Është pikëpamja ime dhe e Partisë Demokratike se bashkërendimi i të gjithë forcave politike të Kosovës, bashkëpunimi i tyre vetëm e forcon dhe e fuqizon Kosovën në sfidat në të cilat po përballet aktualisht…”, tha Basha gjatë takimit me Thaçin.

Edhe Presidenti i Kosovës kishte një mesazh për Bashën.  

“…Diskutuam edhe për dialogun mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Për ne, është me rëndësi jetike që të kemi një koordinim, e para mes spektrit politik në Kosovë, një konsensus sa më të gjerë, sa më përfshirës, në mënyrë që të jetë një angazhim i unitetit të qytetarëve, shoqërisë civile, politike, partive, institucioneve. Gjithmonë kontributi i Shqipërisë ka qenë i mirëseardhur, ndërsa gjithashtu është jetike për ne dhe faktorin ndërkombëtar të jetë i koordinuar së pari Bashkimi Europian, por edhe një koordinim i ngushtë mes Washington-it dhe Brukselit në mënyrë që të jetë një proces i sigurt, i besueshëm, pastaj edhe i pranueshëm nga qytetarët e Kosovës dhe që duhet të përmbyllet jo në aspektin teknik, se në aspektin teknik e kemi diskutuar tani e 9 vite, 2011-2018, por të përmbyllet me njohje reciproke sa më të shpejtë që është e mundur…”, tha ai


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë