“Ligji i Pistoleros” vepron edhe në stadiumin “Bentegodi”, ku Milani ka mundur 1-2 Kievon, ekipin që mban vendin e fundit në renditje. Lukas Bilia ka shënuar një eurogol, ndërsa i zakonshmi Kristof Piatek mbetet busulla e Milanit në rrugën drejt Champions League. Nuk ishte një Milan i bukur për t’u parë, por e rëndësishme është fitorja e pestë radhazi për kuqezinjtë, që I çon ata në kuotën e 51 pikëve, duke bërë që diferenca me Interin të shkojë në 4 pikë dhe vendi i 3-të të jetë gjithmonë e më i sigurt.
Milani është në rritje të vazhdueshme, kjo duket qartë. Humbja e fundit është ajo e 10 javëve më parë, në shtëpi me Fiorentinën. Donaruma pësoi gol nga një skuadër që nuk shënonte prej 4 ndeshjesh, por Milani u tegua cinik dhe bëri aq sa duhej për të marrë 3 pikët. Kuqezinjtë e zhbllokuan rezultatin me një goditje të mrekullueshme të Bilias, i cili ekzekutoi saktë një goditje dënimi, duke i dhënë topit trajektoren e ylberit. Por gjithçka u shkatërrua në pak minuta: Gatuzo u dënua nga arbitri dhe përfundoi në tribunë, pas një debati të ashpër me Mexhorinin, kurse Donaruma pësoi golin e barazimit, pas një gjuajtjeje me kokë të Hetemajt në zonë.

Ndeshjen e zgjidhi Pitaek pak minuta pas fillimit të pjesës së dytë. Ky është goli i 19-të në kampionat për sulmuesin polak të Milanit. Ai udhëheq listën e shënuesve më të mirë të Serisë A, bashkë me Ronaldon dhe Kualiarelën. Piatek gjuajti në mënyrë akrobatike, ndërsa Kievo protestoi për lojë të rrezikshme ndaj mbrojtësit. Pas konsultimit me VAR-in, arbitri Paireto e vlerësoi golin të rregullt dhe Milani më pas administroi me qetësi lojën deri në fund. Milani duket në formë shumë të mirë para derbit me Interin, ndërsa trajneri Gatuzo duhet të presë vendimet e Disiplinës, pasi mund ta humbë këtë ndeshje dhe për të do të ishte një krim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje