Futboll

Vllaznia qëndron në Superiore, Besëlidhja dorëzohet në Shkodër

Vllaznia qëndron në Superiore pa vështirësi. Skuadra e trajnerit Hysen Dedja mundi 3-1 Besëlidhjen në ndeshjen shtesë të zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi”, duke siguruar kështu pjesëmarrjen edhe për sezonin e ardhshëm mes më të mirëve të futbollit shqiptar. Besëlidhja nuk pati forcë për të bërë surprizën në këtë ndeshje, ku vinte në rolin e sfidantit. Diferencat në fushë mes dy skuadrave ishin të dukshme.

Shkodranët e zgjidhën shpejt ndeshjen, duke shënuar dy gola pa u mbushur ende 20 minuta lojë. Arsid Kruja dhe Herald Marku realizuan me dy gjuajtje të bukura nga jashtë zonës, duke larguar kështu presionin, por serbi Gjorgjeviç ngushtoi diferencën brenda pjesës së parë, duke e rihapur ndeshjen. Në pjesën e dytë Vllaznia kishte disa mundësi për shënim, por i shpërdoroi. Gjithsesi, kapiteni Lika do të largonte panikun me golin e tretë 12 minuta para fundit, duke prerë çdo shpresë të lezhjanëve për Superioren.

Ndeshja shtesë, sipas skemës së përcaktuar nga FSHF-ja, luhej në fushën e skuadrës së vendit të tetë të Superiores. Kështu, Vllaznia kishte favorin e fushës, edhe pse luhej pa tifozë. Besëlidhja vinte në këtë ndeshje si skuadra e vendit të dytë në Grupin A të Kategorisë së Parë. Eliminoi Pogradecin, por nuk ia doli në Shkodër, kështu që për të 13-in sezon radhazi do të mbetet jashtë elitës së futbollit shqiptar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë