Bashkimi Europian do të akordojë rreth 1 miliard euro për Ballkanin Perëndimor me qëllim përballimin e krizës energjetike.
Planin e masave do ta prezantojë vetë Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, në turin që pritet të nisë këtë të mërkurë(26 tetor).
Pakoja për mbështetje energjetike do të prezantohet fillimisht në Shkup. Autoritetet e Maqedonisë së Veriut kanë kërkuar kompensim nga Brukseli për çmimet e larta në bursën e energjisë elektrike, pasi Bullgaria ka njoftuar se rregullat europiane nuk i lejojnë që vendeve fqinje t’u shesë energji më të lirë.
Në raportin e fundit të Komisionit Europian për Maqedoninë e Veriut vihen në dukje vërejtjet se tranzicioni drejt burimeve të rinovueshme duhet të përshpejtohet dhe të ulet varësia nga qymyrguri, lënda e parë kryesore për prodhimin e energjisë elektrike në vend.
“Në këndvështrimin e kontekstit aktual gjeopolitik Maqedonia e Veriut duhet ta përshpejtojë tranzicionin drejt burimeve të rinovueshme të energjisë dhe dukshëm ta ulë varësinë nga gazi”, shkruhej në raport.
Vizita e von der Leyen do të vijojë të enjten në Prishtinë ndërsa po atë ditë pritet që kryekomisionerja të vizitojë dhe Tiranën.
Të gjitha vendet e Ballkanit kanë kërkuar nga Brukseli që krizën energjetike të mos e trajtojë si një krizë vetëm të BE-së por si një krizë europiane, duke përfshirë edhe vendet e tjera që aspirojnë të bëhen pjesë e unionit.
Thirrje Bashkimit Europian i bëri edhe kryeministri Edi Rama, i cili u kërkoi udhëheqësve të Unionit që të mos lënë në harresë Ballkanin si në luftën kundër pandemisë së Covid, por të përfshijnë shtetet e rajonit në mbrojtjen dhe përballimin nga kriza energjetike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje