Politike

Bajram Begaj zgjidhet President me 78 vota. Merr 1 votë nga PDIU, 4 kundër dhe 1 abstenim. (6 deputetë të opozitës LSI-PDIU në votim)

Bajram Begaj u zgjodh pasdite President i Republikës. Në sallë ishin 103 deputetë, (grupi Alibeaj bojkotoi) por në votim mbetën 83, prej tyre 6 deputetë të opozitës, 3 të LSI dhe 3 të PDIU.

Rithemelimi, Salianji, Duma, Gjekmarkaj dhe Aleatët e PD nuk votuan.

Monika Kryemadhi e tregoi publikisht votën Kundër të 3 deputetëve të LSI, kurse PDIU nuk bëri asnjë deklaratë para dhe pas votimit.

Begaj u zgjodh me 78 vota, ndërsa PS ka 74 vota, plus 3 të PSD-së, 77 në total.

Por Begaj ka marrë 1 votë nga opozita, që me gjasë është nga PDIU. Një tjetër deputet, me gjasë po i PDIU, abstenoi.

6 votat e opozitës LSI-PDIU u ndanë 4 Kundër, 1 Pro dhe 1 Abstenim.

Të pranishëm në Kuvend në nisje të seancës ishin 103 deputetë.

Nga opozita te pranishëm ishin 

Luciano Boçi, Ervin Salianji, Ferdinand Xhaferraj, Ina Zhupa, Agron Gjekmarkaj, Belind Kelliçi, Oerd Bylykbashi, Sali Berisha, Flamur Noka, Edmond Spaho, Monika Kryemadhi, Albana Vokshi, Tritan Shehu, Erisa Xhixho, Kasem Mahmutaj, Petrit Vasili, Vangjel Dule, Shpetim Idrizi, Fatmir Mediu, Mensila Doda, Agron Duka, Luan Baçi, Dashamir Shehi, Isuf Çela, Nusret Abdullai.

Rama: Nuk kërkuan konsensus me të vdekurit, Bashën lejeni të flejë

Pas votimit Kryeministri Edi Rama tha se maxhoranca tentoi një konsensus për presidentin e ri, referuar këtu opzitës së Enkelejd Alibeajt. Ndërsa për Berishën u shpreh se “nuk kërkuan konsensus me të vdekurit”.

Rama u pyet gjithashtu edhe për faktin që ish kreu i PD-së, Lulzim Basha mungoi në seancën e sotme.

“Nuk e kemi kërkuar kurrë dhe nuk e kemi pritur që të kemi konsenus me të vdekurit. Kemi qenë këtu për të pasur konsensus me të gjallët”, tha ai.

Basha nuk ishte i pranishëm në seancë e pyetën gazetarët.

“Lëreni të flejë”, u përgjigj Rama.

Kryeministri Edi Rama komentoi një informacion se në SPAK ka pasur një padi ndaj Presidentit të ri, Bajram Begajt. Në një prononcim për mediat jashtë Parlamentit, Rama u shpreh se kjo nuk i bën përshtypje pasi paditë në Shqipëri janë kthyer në sport kombëtar.

“Janë muhabete palidhje, pasi paditë në këtë vend janë sporte kombëtare që janë zhvilluar me proceset demokratike. Nuk më bën asnjë përshtypje ky fakt. Mua ajo që më vjen dhe për të cilën jam këtu, për të folur për herë të fundit për këtë temë, është që kemi mundur t’i japim shqiptarëve një shembull që ne këtu nuk jemi për vete, por për ta dhe me ta.

Të tjerat do i tregojë koha, çdokush vlerësohet në punë çdo ditë. Ajo që sot është përmbyllur, është puna e një periudhe jo të shkurtër dhe aspak të lehtë e gjithë lidershipit të PS-së.  Nuk e kemi pritur që të kemi konsensus me të vdekurit, kemi qenë këtu për të patur konsensus me të gjallët, me këtë e kam fjalën për personat që e duan këtë vend. E kemi arritur me këtë figurë” – tha Rama.

Për zgjedhjen e Begajt si President, kreu i qeverisë deklaroi se Shqipëria sot la pas një periudhë dramatike me zyrën e kreut të shtetit.

“Ka qenë një proces ku të gjithë kanë pasur mundësinë të kontribuojnë, ku ka dal një figurë e pakontestueshme, e identifikueshme me qytetarin shqiptar dinjitoz dhe të respektueshëm, me njeriun besnik ndaj vendit dhe detyrës. Me shembullin e një burri të qetë të arsyeshëm, normal. Ajo që ka ndodhur sot, që ka rëndësi, është që Shqipëria pas një periudhe dramatike në zyrën e kreut të shtetit, do të ketë një President normal për një vend normal dhe për funksionimin normal të kreut të shtetit” – tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë