Politike

Votoi pro mandatit të Malajt, PD kallëzon penalisht Klement Zgurin

Partia Demokratike do të kallëzojë penalisht 5 anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (për herë të parë edhe  Klement Zgurin) për shpërdorim të detyrës dhe do të ankimojë në gjykatë vendimin e këtij komisioni, që la në detyrë kryebashkiakun e Matit, Agron Malaj.

Me 5 vota pro, KQZ-ja la në detyrë Agron Malajn duke rrëzuar pretendimin e PD-së se ai duhej të largohej pasi prekej nga ligji për dekriminalizimin.     

 “Vendimi provon qartë se Edi Rama nuk e ka dashur kurrë dekriminalizimin, pasi krimi është aleati i vetëm për pushtetin e tij thellësisht të korruptuar dhe të kalbur nga bashkëqeverisja me krimin.

Rasti i Agron Malajt dëshmon edhe njëherë se Edi Rama ka marrë në mbrojtje krimin, duke e promovuar në politikë dhe në administratën publike, pasi me krimin e ka më të lehtë të vjedhë taksat dhe pasuritë e shqiptarëve dhe t’i rrënojë ata ekonomikisht.

 Akti rutinë i një kryeministri normal do të ishte shkarkimi i kandidatëve të tij kriminelë, por Edi Rama, i cili përgojon gjithkënd dhe flet për gjithçka, nuk ka gjetur akoma asnjë moment për të mbajtur qëndrim për kriminelët e tij në bashki”, tha Sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Çlirim Gjata.

Sipas tij, ligji është shumë i qartë.

“Agron Malaj është dënuar me burgim për armëmbajtje pa leje. Ligji i dekriminalizimit e ndalon përjetë që ai të kandidojë apo të zgjidhet në një funksion publik.

 Neni 2 i ligjit të dekriminalizimit parashikon se nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen kryetarë bashkie personat, të cilët janë dënuar me burgim me vendim të formës së prerë, brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, për kryerjen e veprimeve apo mosveprimeve që përbëjnë vepër penale, sipas nenit 278 paragrafi i pestë i Kodit Penal, pra për mbajtjen e armëve në mjedise publike pa lejen e organeve kompetente shtetërore.

Për dënimin për këtë vepër penale, ndalimi sipas nenit 4 të ligjit është përjetë. Agron Malaj është dënuar për këtë krim”, tha Gjata.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë