Komunitet

Votuesit zviceranë i thonë “po” martesave të të njëjtit seks

Votuesit zviceranë kanë mbështetur martesat e komunitetit LGBTI, sipas rezultateve paraprake të një referendumi që u mbajt ditën e sotme (e dielë).

Sondazhi gfs.bern parashikon që 64% e votuesve kanë votuar pro martesave të së njëjtit seks.

Kjo është kryesisht në përputhje me sondazhet e publikuara para votimit, të cilat sugjeruan se 63% e votuesve në vendin e pasur Alpin do t’i thoshin po reformës “Martesa për të Gjithë” (Ehe Fuer Alle).

Zvicra është ndër vendet e fundit të Evropës Perëndimore ku është ende e jashtëligjshme martesa midis njerëzve të këtij komuniteti dhe duket se sot doli nga ai “grup”.

Për herë të parë ky ligj u miratua në Hollandë 20 vjet më parë. Zvicra ka lejuar çiftet e të njëjtit seks të regjistrojnë partneritet që nga viti 2007, por disa të drejta u lanë të kufizuara.

Sipas vendimit të ri, ciftet e të njëjtit seks do të mund të adoptojnë ligjërisht një fëmijë ndërsa çiftet lezbike të martuara do të lejohen të kenë fëmijë përmes dhurimit të spermës.

Gjatë 20 viteve të fundit shumica e vendeve në Evropën Perëndimore kanë njohur martesën e të njëjtit seks, por në Zvicër vendimet e mëdha shkojnë në një votim mbarëkombëtar, siç ishte referendumi i sotëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë