Gjykata ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për Viktor Markun, si autori kryesor i ekzekutimit të 40-vjeçarit Hekuran Billa në zonën e Komunës së Parisit në kryeqytet.
Viktor Marku akuzohet se e kre vrasjen për gjakmarrje. Ai është vëllai i Prel Markut, i cili është vrarë në Angli nga Hekuran Billa në vitin 2006.
Dje gjatë seancës, Marku mbajti një qëndrim mohues.
Ndërsa, avokati i tij tha dje pas seancës se nga sistemi TIMS rezulton se Marku ndodhej në Mal të Zi që prej muajit janar.
Sipas sistemit TIMS, Marku rezultonte të ketë dalë nga Shqipëria nga pika e Muriqanit për në drejtim të Malit të Zi, më 19 janar 2020, por një dëshmitar thotë se Viktor Marku gjatë këtyre muajve ka qenë në Shkodër, pasi mori me qira në biznesin e tij një makinë ‘smart’. Po sipas dëshmisë makinën Marku ia ka lënë nipit të tij, Sebastjan Mali, gjithashtu i arrestuar si bashkëpunëtor në vrasje.
Ndërkohë, në funksion të dosjes hetimore mësohet se janë analizuar pamjet nga 38 kamera sigurie pranë zonës. Organi i akuzës ka dyshime se Viktor Marku shfaqet në një moment në kamera teksa zbret nga makina ‘smart’ marrë me qira dhe ngjitet në automjetin ‘mercedez benz’ i vjedhur në Shkodër që u përdor në atentat. Prokuroria thotë se në makinë është ngjitur dhe një person i dytë.
Hekuran Billa u ekzekutua mbrëmjen e 11 qershorit, në zonën e Komunës së Parisit në kryeqytet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje