Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e ka quajtur të “tmerrshme” vrasjen e një punonjësi në një karburant nga një konsumator i zemëruar, të cilit i është kërkuar të vendosë maskën teksa ka blerë birrë.
Vrasja e 20-vjeçarit, të shtunën, në qytezën Idar-Oberstein, besohet të jetë e para në Gjermani, e lidhur me rregullat e Qeverisë kundër koronavirusit.
“Qeveria gjermane dënon në instancat më të larta këtë vrasje të shëmtuar ”, ka thënë të mërkurën zëdhënësja e Merkelit, Ulrike Demmer para gazetarëve.
“Neve na vjen keq për vdekjen e këtij të riu, që është qëlluar për vdekje”.
I dyshuari i paidentifikuar, gjerman 49-vjeçar, është dorëzuar vetë të nesërmen në polici. Ai është arrestuar dhe është rrëfyer për vrasjen.
Para zgjedhjeve të përgjithshme, që do të mbahen të dielën në Gjermani, ky rast ka shkaktuar tronditje, pasi janë duke u rritur shqetësimet se lëvizja kundër maskës mund të radikalizohet.
Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme ka thënë se vrasja duhet se është “rast i izoluar” dhe se lëvizjet e kundërshtarëve ndaj masave për ta luftuar koronavirusin, janë më të vogla, ndërkohë që hiqen kufizimet.
Megjithatë, ai ka pranuar se “disa aktorë” të lëvizjeve duket se janë bërë më ekstremistë dhe potencialisht më të dhunshëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje