Vrasja e në rrethana misterioze një 18-vjeçari në Kavallë të Greqisë ka sjellë një reagim të ashpër diplomatik nga ana e qeverisë shqiptare.
Policia greke thotë se po heton ngjarje e rëndë dhe nuk përjashtonim mundësinë që pas ngjarjes së rëndë të qëndronin ekstremistët e Agimit të Artë, një prej të cilëve vrau pak ditë më pare n63-vjeçarin shqiptar, Petrit Zifla në një fshat të Korfuzit.

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme shpreh keqardhjen e thellë për humbjen e jetës së të riut shqiptar dhe i shprehu ngushëllimet më të ndjera familjes dhe të afërmve të tij. Sipas Tiranës zyrtare Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Athinë është në kontakt me familjen e të ndjerit për ofrimin e asistencës së nevojshme.
Nëpërmjet një reagimi të ashpër, MEPJ shpreh indinjatën e thellë, duke thënë se kjo është vrasja e katërt e një qytetari shqiptar brenda dy javëve të fundit dhe i kërkoi autoriteteve greke të conin deri në fund hetimet.
“MEPJ shpreh shqetësimin për serinë e vrasjes së shqiptarëve në Greqi përgjatë dy javëve të fundit dhe në të njëjtën kohë solidaritetin me familjet e tyre. Jemi të indinjuar nga vrasja e bashkëkombasve tanë, ndjenja këto që thellohen nga vonesat në zbardhjen e këture ngjarjeve nga autoritetet grek”, thuhet në reagimin zyrtar të ministrisë.
Pala shqiptare sulmoi edhe ekstremistët e Agimit të Artë, duke thënë se: MEPJ dënon ashpër sfondin e ekstremizmit dhe gjuhës së urrejtjes që ka shoqëruar këto ngjarje në vendin fqinj dhe i bën thirrje autoriteteve greke për dënimin dhe vënien fre të çfarëdo përpjekjeje të Agimit të Artë apo segmentëve të tjera ekstremiste për të cënuar sigurinë dhe dinjitetin e shqiptarëve që punojnë e kontribuojnë në vendin fqinj. Nuk pranojmë kurrsesi të mësohemi as me thirrjet e tyre ksenofobe në kanalet e komunikimit dhe as me viktimizimin patetik e nacionalist të ndonjërit syresh që nuk lë rast pa sulmuar Shqipërinë në instancat eeropiane.”
Ministria shprehu angazhimin e shtetit shqiptar për t’i dhënë viktimave dhe familjeve të tyre mbështetjen e nevojshme ligjore dhe financiare për të mbrojtur të drejtat e tyre themelore, si pjesëtarë të komunitetit më të madh evropian që jeton, studion dhe kontribuon prej dekadash ne Greqi.
18-vjeçari i ekzekutuar së fundmi është shqiptari i gjashtë që humb jetën në rrethana misterioze në Greqi, që pas vrasjes së Konstandinos Kacifas, ekstremisti grek që terrorizoi fshatin fshatin Bularat të Gjirokastrës dhe më pas mbeti i vrarë në shkëmbimin e zjarrit me forcat RENEA. Mediat greke shkruajnë se në dorën e të riut është gjetur një shumë parash, çka sipas burimeve të policisë përjashton mundësinë që ekzekutimi të ketë ndodhur për grabitje.
Por këto seri vrasjes kanë sjellë edhe një reagim të ashpër nga ana e kryeministrit Sali Berisha, i cili i kërkoi OKB-së të hetonte këto krime.
“Te dashur miq, pas vrasjes në shkëmbim zjarri nga policia shqiptare të ekstremistit grek nga Bularati, Kostandin Kaficas, në vendin fqinj, në hakmarrje të verbër raciste e primitive, ka shpërthyer një serial vrasjesh të shqiptareve në tërësi. Kështu, në një hark kohor pak javësh janë ekzekutuar në zona dhe rrethana të ndryshme të Greqisë 7 shqiptare, që të gjithë përveç njërit ekzekutime gjakftohta të bazuara ne urrejtjen dhe racizmin primitiv ndaj shqiptarëve dhe si hakmarrje, akte kriminale albanofobie. Mbrëmë në Kavalla u regjistrua viktima e 7-të, u gjet i vrarë një 18 vjecar, djalë i një familje emigrantësh shqiptarë, anëtar i një ekipi lokal futbolli, për të cilin shkaku i vetëm sipas mediave mbetet racizmi. Dënoj me ashpërsinë më të madhe këto akte kriminale të mirëfillta raciste dhe i bëj thirrje Komisionit të të Drejtave të Njeriut te OKB, Këshillit të Europës, Komisionit dhe Këshillit te Ministrave të BE të ndërhyjnë pranë autoriteteve greke për një hetim të pavarur mbi shkaqet dhe rrethanat e ekzekutimeve raciste të shqiptareve në Greqi dhe të ushtrojnë të gjithë presionin e merituar ndaj autoriteteve greke që këto akte kriminale të shëmtuara të ndëshkohen”, shkruan ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje