Bota

Vuçiç: Nuk vendosim sanksione ndaj Rusisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se pavarësisht presioneve, Serbia nuk do të rrezikojë interesat e saj kombëtare duke iu bashkuar sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë.

Në një intervistë për Financial Times, ai tha se Beogradi nuk “do të zgjedhë anë” pavarësisht thirrjeve nga Bashkimi Evropian që Serbia, si shtet kandidat për anëtarësim në bllok, të harmonizojë politikat e saj të jashtme me të Brukselit, përfshirë edhe sanksionet ndaj Rusisë dhe presidentit rus, Vladimir Putin.

“Ka bisedime për zgjedhje të anëve. Jo, ne e kemi anën tonë, interesat e Serbisë. Nëntëmbëdhjetë shtete të NATO-s na bombarduan ne (më 1999) dhe vendosën sanksione ndaj nesh”, tha Vuçiç.

Ai tha se Serbia do të vendosë sanksione ndaj kujtdo sepse udhëheqja e shtetit nuk beson se sanksionet do të ndryshonin diçka.

“Ju mund t’i bëni presion dhe ta detyroni Serbinë, por ky është mendimi ynë”, tha ai.

Ndërkaq, gjatë një konference për media, Vuçiç po ashtu e pranoi se Serbia po përballet me probleme dhe po paguan “çmim shumë të lartë”, pasi është shteti i vetëm në Evropë që nuk ka vendosur masa kufizuese ndaj Rusisë.

Ai iu referua një draft-rezolute të Parlamentit Evropian, që u bën thirrje autoriteteve serbe të vendosin sanksione ndaj Rusisë.

Serbia ka votuar disa rezoluta të Kombeve të Bashkuara që dënojnë agresionin rus në Ukrainë, por edhe më herët ka thënë se nuk do të vendosë sanksione ndaj Moskës.

Gjatë një vizite të tre senatorëve amerikanë në Beograd më 19 prill, Uashingtoni përsëriti thirrjet që Serbia të harmonizonte politikat e saj me të BE-së dhe të vendoste sanksione ndaj Rusisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë