Ne rrjet

Vuçiç: Serbia e gatshme të ndihmojë për gjetjen e shqiptarëve të zhdukur gjatë luftës

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç duket se bëri një hap drejt dialogut të enjten në mbrëmje duke thënë se Beogradi është i gatshëm të ofrojë ndihmë për gjetjen e shqiptarëve të Kosovës që vazhdojnë të renditen ende si të zhdukur nga lufta 1998-1999, por dëshiron që autoritetet e Kosovës të përgjigjen duke ndihmuar në gjetjen e serbëve të humbur.

Vuçiç e diskutoi këtë temë pasi çështja e personave të zhdukur gjatë kohës së luftës u diskutua në bisedimet me kryeministrin e Kosovës Avdullah Hoti në Bruksel, me ndërmjetësimin e BE-së.

Vuçiç tha për mediat pas takimin me Hotin, “ se Serbia nuk do të mbrojë askënd që është përgjegjës për krimet e luftës dhe se për shkak të familjeve që kanë humbur të dashurit e tyre, është e rëndësishme të gjenden vendet ku ata janë varrosur”.

“Ne thamë gjithashtu se jemi të gatshëm t’i përgjigjemi çdo kërkese të shqiptarëve, se kudo ku ata mendojnë se mund të tregojnë në hartë një vend ku ata mendojnë se mund të ketë ndonjë varr të ndonjë shqiptari, dhe se ne jemi të gatshëm të shohim bashkë me ata dhe me europianët nëse në atë vend ka apo jo diçka”, tha Vuçiç.

“Por ne kemi kërkuar të njëjtën të drejtë për ne, sepse, deri më tani, nuk kemi pasur qasje në Llapushnik, Dojnicë, Gjakovë, në liqenin Radoniqit, Koshare, Istog dhe vende të tjera në Kosovë”, shtoi ai.

Bisedimet për çështjen e personave të zhdukur ku janë të përfshirë ekspertë nga Serbia dhe Kosova do të vazhdojnë të mërkurën e ardhshme.

Vuçiç tha gjithashtu se “shqiptarët kërkuan që të hapen të gjitha arkivat ushtarake dhe policore, dhe ne thamë se nuk ka asnjë problem. Por edhe ju do të duhet të hapni arkivat e të ashtuquajturës UÇK (Ushtria Çlirimtare e Kosovës)”.

Hoti tha pas takimit se bisedimet me Vuçiçin përfshinë gjithashtu çështje ekonomike siç janë kompensimi i dëmeve të shkaktuara gjatë luftës 1998-1999 dhe çështja e pronësisë së asaj që ishte pronë shtetërore në Jugosllavi.

Me kërkesën tonë, dy temat e takimit të parë ishin personat e pagjetur dhe çështjet ekonomike. Për ne tek ekonomia përfshihen edhe kompensimi i dëmeve të luftës, suksesioni, borxhi shtetërorë, pensionet, kursimet në banka, pagat e humbura të punëtorëve të larguara nga puna, dëmtimet e pronës private dhe çështje të tjera që do të vazhdojnë të diskutohen në takimet e ardhshme”, shkroi Hoti në Facebook.

Megjithatë, Vuçiç tha se nuk pranoi të diskutonte temën e dëmshpërblimeve, duke thënë “nuk kishte kuptim të flitej për këtë”.

Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë ngeci rreth 20 muaj më parë pasi Kosova vendosi tarifa 100 për qind për importet nga Serbia në shenjë hakmarrjeje për fushatën e Beogradit për të parandaluar pranimin e Prishtinës në organizatat ndërkombëtare dhe për t’i bindur vendet të ndryshojnë vendimet e tyre për të njohur pavarësinë e Kosovës.

Vuçiç dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duhet të takoheshin në Shtëpinë e Bardhë në Uashington muajin e kaluar, por kjo u anulua pasi prokurorët në Hagë njoftuan se ata kanë hartuar një aktakuzë që akuzonte Thaçin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë