Gazeta Si – Kina ka përshpejtuar zgjerimin e arsenalit të saj bërthamor, pasi ka rishikuar vlerësimin e saj për kërcënimin e paraqitur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Lajmi raportohet ekskluzivisht nga gazeta “Wall Street Journal”, e cila citon “burime të njohura me strategjinë e Pekinit”.
Vendimi për të shtuar përpjekjet për programin bërthamor – sipas burimeve në të përditshmen amerikane – i paraprin fillimit të luftës në Ukrainë, por kujdesi i treguar nga SHBA-të në shmangien e përfshirjes së drejtpërdrejtë në konfliktin ukrainas, ka bindur Pekinin të jepte më shumë theks për zhvillimin e armëve atomike si një pengesë.
Në rast të një konflikti në Tajvan – ky do të ishte mendimi i Pekinit – Shtetet e Bashkuara do të shmangnin përfshirjen e drejtpërdrejtë nëse do të përballeshin me një fuqi të aftë për t’i rivalizuar ato për sa i përket arsenalit bërthamor.
Ditët e fundit, “The Financial Times”, kishte folur për një përpjekje të ripërtërirë të Shteteve të Bashkuara (së bashku me Britaninë e Madhe dhe Australinë) në zhvillimin e raketave hipersonike, pasi Pekini kishte befasuar Uashingtonin me testet e tij jashtëzakonisht të avancuara në këtë lloj transportuesish (që mund të mbajnë koka atomike).
Sipas burimeve amerikane të cituara pikërisht nga “Wall Street Journal”, Kina ka përshpejtuar ndërtimin e njëqind kapanoneve raketash në rajonet perëndimore të vendit, nga të cilat predhat bërthamore mund të arrijnë në Shtetet e Bashkuara.
Doktrina bërthamore kineze nuk është e qartë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë frikë se Pekini mund të sulmojë në befasi, ndërsa burime pranë udhëheqjes kineze – të cituara gjithashtu nga “Journal” – e përjashtojnë këtë mundësi. Angazhimi aktual i rinovuar i Kinës, do të buronte nga fakti se arsenali bërthamor i Kinës tani konsiderohet i vjetëruar dhe i papërshtatshëm për të vepruar si një pengesë efektive për Uashingtonin.
Gjithashtu, një rritje të tensionit mes dy fuqive ka shkaktuar vizita e ardhshme që do të kryejë një zyrtar i lartë amerikan në Ishujt Solomon në Oqeanin Paqësor, pas publikimit të një projektmarrëveshjeje ndërmjet qeverisë së këtyre ishujve dhe Kinës që do t’i lejonte Pekinit të vendoste trupat e saj në një zonë më afër Australisë, Zelandës së Re dhe Hauait.
Burimi: “Wall Street Journal”; Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje