Futboll

Wuhan bllokohet në Spanjë, Real Madrid e fton në “El Clasico”

Wuhan Zall, skuadra e futbollit të qytetit kinez ku nisi epidemia që po mban gjithë botën në ankth, është bllokuar në Spanjë dhe nuk mund të kthehet në shtëpi. Por kjo situatë ka edhe të mirat e saj për skuadrën kineze, së cilës i ka ndodhur një surprizë e bukur dhe e rrallë: një ftesë për të ndjekur nga afër “El Clasico”-n në “Santiago Bernabeu”.

Emri Wuhan Zall përbën gjithmonë lajm në këtë situatë. Paradoksalisht, skuadra e qytetit kinez të koronavirusit ka bërë edhe merkato, duke marrë portugezin Karriço nga Sevilja dhe Gnahore, ish-lojtar i Palermos. Për këta dy lojtarë nuk ka probleme karantine, sepse Wuhan po e kryen fazën përgatitore në Spanjë. Problemi është se futbollistëve dhe stafit teknik u është ndaluar të kthehen në Kinë, aq më tepër që kampionati është shtyrë.

Skuadra e Wuhan Zall, duke u stërvitur në Spanjë. Gazeta Si, 1 mars 2020

Dhe në këtë situatë dëshpëruese për skuadrën kineze ka ardhur një surprizë e bukur. Klubi i Real Madrid e ka ftuar për të parë nga afër ndeshjen me Barcelonën në “Santiago Bernabeu”. Trajneri i spanjoll i Wuhan, Zhoze Gonzalez, ka shpjeguar për “Associated Press” si e kanë pritur lojtarët këtë ftesë: “Është një ftesë e merituar për ta. Do të jetë diçka e paharrueshme. Janë stërvitur çdo ditë me seriozitet, por natyrisht kanë qenë të shqetësuar për situatën në Kinë. Do të jetë një moment të shohin një ndeshje të madhe si kjo mes Realit dhe Barcelonës.

Wuhan Zall shkoi në Spanjë në fund të janarit, ndërsa më parë ishte stërvitur në Guanghzou, 1000 kilometra larg Wuhan. Autoritetet spanjolle kanë bërë të qartë se nuk ka pasur asnjë mundësi që skuadra kineze të ketë sjellë me vete virusin. Si po e përjeton situatën skuadra e “qytetit koronavirus”? trajneri spanjoll thotë: “Përpiqem ta flas sa më pak të jetë e mundur për koronvirusin, sepse mjaft flasin lojtarët mes tyre gjithë kohën, në dhomë, kur telefonojnë të afërmit. Mundohem t’ua bëj stërvitjen zbavitëse, dua t’i shoh të buzëqeshin”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë