Sekretari për Digjitalizimin në PS, Etjen Xhafaj njoftoi të mërkurën përmes një komunikimi për mediat se do të ngrejë padi ndaj atyre që kanë publikuar listën e përdoruesve të “Aktivist1t”.
Ai tha se ky aplikacion është një mënyrë komunikimi, jo presioni ndaj administratës.
Xhafaj tha se aplikacioni është i hapur për të gjithë dhe në të kërkohen vetëm 2 të dhëna emri dhe zona nga ku logohen, jo profesioni apo rroga, duke theksuar se çdo përdorues është aty me vullnetin e lirë, madje duke u regjistruar edhe me emër të rremë.
“Nuk ka asgjë për të fshehur, aplikacioni është i hapur për të gjithë. Nuk kontrollohet asnjë njeri që hyn dhe del, është në përputhje me ligjet e Shqipërisë, njerëzit mund të regjistrohen edhe me një pseudonim, s’ka asgjë që ne kontrollojmë. Njerëzit futen me vullnetin e tyre. Kontrolli i vetëm është që të mos ketë fjalë fyese. Pikët janë për të vlerësuar, jo dënuese. Ekspozimi i të dhënave nuk ka dalë nga aplikacioni. Nuk kërkohet në aplikacion profesioni apo vendi i punës. Nuk e di si sekretar për digjitalizimin, nuk e di se çfarë vendi pune kanë njerëzit në aplikacion. Manipulimi i të dhënave duke publikuar emrin e aktivistit do të ndiqet penalisht…”, tha ai.
Opozita në anën tjetër ka 48 orë që ka publikuar lista emrash ndër ta edhe prokurorë të SPAK, gjyqtarë të KLP, anëtarë të KPK dhe KAP pjesë e listës së Aktiv1stit duke shkaktuar tjetër furtunë politike kryesisht për gjyqësorin dhe prokurorët të regjistruar në një aplikacion që menaxhohet nga PS
Xhafaj u përpoq më shumë të sqaronte se aplikacioni nuk ishte antiligjore dhe se për shkarkimin e saj nuk detyronte askënd.
Në këtë aplikacion, një aktivist vlerësohet me pikë. Por çfarë përfiton aktivisti që ka qenë më shumë aktiv në komente dhe dhënie pëlqimesh?
“Vlerësimi ka qenë takimi me drejtues politik të qarqeve. Nga një pjesë të veprimeve ka një sistem pikëzimi, shikojmë sa aktiv janë njerëzit, lista është publike. Ata që janë përdoruesit, shihen kush janë më të mirit, ulemi e takojmë dhe synojmë si t’i angazhojmë më tepër”, tha Xhafaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje