Politike

Xhafaj: Drejtësia e re të justifikojë paratë që merr! Të ndalohen me ligj PPP-të pa garë

Fatmir Xhafaj, njeriu që udhëhoqi hartimin e reformës në drejtësi në 2016-n, pas rezervave të shprehura në lidhje me punën e komisioneve të vettingut thotë se ka ardhur koha që institucionet e reja të drejtësisë të justifikojnë mbështetjen e madhe buxhetore që u është dhënë ndër vite.

“Njerëzit e këtij sistemi, prokurorët dhe gjyqtarët por edhe ekipet e këshillave drejtuese e inspektuese dhe stafet e tyre mbështetëse duhet të kuptojnë shumë më mirë se deri më sot përgjegjsinë e tyre ndaj qytetarëve dhe të ardhmes së vendit. E ritheksoj edhe njëherë dhe duhet ta ridëgjojnë që mos e harrojnë : Ata janë sot njerëzit më të paguar në këtë vend! Krahas garancive për pavarësinë e plotë vendimmarëse e funksionale, kjo është një nga risitë kryesore të reformës në drejtësi. Padyshim një zgjidhje shumë e drejtë për misionin dhe përgjegjësinë që ato kanë në funksionimin e shtetit të së drejtës dhe në shërbimin ndaj qytetarëve. Nuk janë dhuratë e askujt, janë para, investim nga taksat e qytetarëve të këtij vendi që kanë ende pritshmëri të larta nga sistemi i ri i drejtësisë”, tha Xhafaj.

Deputeti socialist shprehu pakënaqësi edhe në lidhje me buxhetin e vënë në dispozicon nga ana e Qeverisë për sistemin e drejtësisë, që thotë se nuk përmbush nevojat logjistike dhe për zyra të këtyre institucioneve.

“E papranueshme që kur ka kaluar mbi dy vjet nga fillimi i punës së SPAK sot ende flitet për mungesë zyrash pune për prokurorët dhe hetuesit e BKH, ca më keq akoma për faktin se ende nuk qenkan zgjidhur mosmarrëveshjet për fondet buxhetore për oficerët e policisë gjyqësore që ligji ju njeh detyrimin për t’i rekrutuar, proces që duhej të ishte mbyllur prej kohësh dhe që ndoshta është edhe një nga arsyet përse flitet për mbingarkesë në punën e prokurorëve të këtij institucioni. Ka pak reflektime në këtë aspekt pasi ende nuk ka një përllogaritje të qartë të efekteve që ndryshimi i hartës sjell në terma afatshkurtër dhe afatmesëm, në nevojat për mbështetje logjistike e financiare si dhe asnjë angazhim për mbështetje me fonde shtesë për Shkollën e Magjistraturës për rritjen e ndjeshme të numrit të studentëve. Përgjigja e burokratëve të buxhetit është se do ta rishohim me ndryshimet e buxhetit në mesin e vitit”, deklaroi Xhafaj.

Ish-ministri i Brendshëm propozoi që koncesionet, PPP-të dhe çdo formë prokurimi tjetër që shmang garën të ndalohet me ligj.

“Me ligj duhet ndaluar çdo formë prokurimi që shmang garën dhe konkurimin publik qofshin këto PPP, koncesione apo edhe të ashtuquajturat prokurime sekrete. Kjo kërkon ndryshime të forta në procesin e prokurimeve, por sidomos për procesin e kontrollit të tyre nga strukturat audituese dhe vetë KLSH, por edhe në procesin e hetimit administrativ e penal ndaj tyre”, vijoi Xhafaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë