Fatmir Xhafaj ka kohë që ka rezerva për mënyrën se si është zbatuar reforma në drejtësi, të cilën ai e udhëhoqi në 2016 me ndryshimet kushtetuese dhe më pas me miratimin e ligjeve organike.
Por, gjatë prezantimit të raportit vjetor të veprimtarisë së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ishte hera e parë që Fatmir Xhafaj u tregua kritik për zgjedhjen e një pjese të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij, një pjese të kësaj trupe i mungon përvoja.
“Vetëm ne këtu duam të bëjmë anëtarë të Gjykatës Kushtetuese persona 35 vjeç dhe të flasësh për unifikim praktike pa pasur praktike…”, tha Xhafaj.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani gjatë fjalës para Komisionit të Ligjeve ngriti si shqetësim kriteret e forta për përzgjedhjen e inspektorëve të lartë dhe mungesën e burimeve njerëzore. Ai tha se për stafin administrativ dhe jomagjistrat situata është përmirësuar, por për inspektorët, që ligji përcakton se duhet të jenë magjistratë situata është problematike.
Për këtë, ILD ka kërkuar edhe ndryshimin e ligjit dhe zbutjen e kritereve për pozicionet si inspektor. Por, Fatmir Xhafaj tha se zgjidhja duhet të jetë një tjetër dhe jo zbutja e kritereve, siç u miratuan në kuadër të reformës në drejtësi.
“Mund të lejohet shtyrja e daljes në pension deri në 5 vite nëse shërben dhe të marrim njerëz të kualifikuar dhe me përvojë dhe jo njerëz në konflikt interesi. Kjo mund të jetë një zgjidhje që mund ta zbuste pa prekur thelbin e kritereve. Se dëgjoj njerëz që thonë ‘këtë që na bëri Fatmir Xhafaj’, janë njerëz që nuk kuptojnë thelbin e kësaj. Përvoja njerëzore në drejtësi është shumë e rëndësishme, jo vetëm personale por edhe njerëzore”, u shpreh Xhafaj.
“Mund të jetë një zgjidhje që edhe mund të shërbejë, por është e vështirë kur vijmë te emrat”, iu përgjigj Metani.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje