Pas padisë se presidentit Donald Trump, shteti i Xhorxhias do të rinumërojë me dorë të gjitha fletët e votimit të hedhura në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit.
Presidenti i zgjedhur Joe Biden siguroi më shumë se sa 270 votat e nevojshme të Kolegjit Zgjedhor, duke fituar Pensilvaninë të shtunën, pas katër ditëve të tensionuara të numërimit, që u vonuan për shkak të rritjes së votave me postë.
Nëse merr edhe Xhorxhian, kjo vetëm sa do ta shtonte diferencën e fitores së zotit Biden.
Presidenti republikan Donald Trump ka refuzuar të pranojë humbjen dhe ka thënë se votimi u shoqërua me mashtrime.
Numërimi i votave në Xhorxhia e vë zotin Biden përpara Presidentit Trump me vetëm 14,101 vota nga rreth 5 milion në të gjithë shtetin dhe me diferencën aq të vogël, nevojitet një rinumërim, tha në një konferencë shtypi sekretari i shtetit të Xhorxhias, Brad Raffensperger.
“Në fakt duhet të bësh një rinumërim të plotë me dorë të të gjitha votave, sepse diferenca është shumë e vogël,” tha ai.” Ne duam që kjo të fillojë para se të mbarojë java”.
“Njerëzit do të punojnë shumë jashtë orarit javët e ardhshme”, tha ai.
Një studim i grupit jo-partiak Fair Vote zbuloi se nga 31 rinumërime në të gjithë vendin midis viteve 2000 dhe 2019, rezultati ka ndryshuar në vetëm tre prej tyre. Më shpesh, ka qenë fituesi që ka dalë me pak më shumë vota.
Mesatarisht, rinumërimet e kanë ndryshuar rezultatin me 0,024%, një diferencë shumë më e vogël sesa do t’i duhej Presidentit Trump, thuhet në studim.
Zoti Biden aktualisht është përpara Presidentit Trump në Xhorxhia me 49.5% ndaj 49.2%.
Dy senatorët e Xhorxhias, David Perdue dhe Kelly Loeffler, të dy republikanët të hënën i bënë thirrje zotit Raffensperger, i cili është gjithashtu republikan, të japë dorëheqjen për mënyrën se si i menaxhoi zgjedhjet.
Por në deklaratën e tyre nuk paraqiteshin prova për mashtrime.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje