Fatjon Rupi – Merkatoja e dimrit ka nisur dhe lëvizje do të ketë jo vetëm në hyrje, por edhe në dalje. Superiorja rrezikon të jetë më e varfër në gjysmën e dytë të saj, sepse disa nga lojtarët më të mirë të saj mund të transferohen në kampionate të huaja. Është ëndrra e çdo futbollisti shqiptar të luajë jashtë vendit, por edhe e klubeve, sepse mund të humbin në cilësi, por fitojnë financiarisht. Skënderbeu, Partizani, Luftëtari dhe Teuta kanë lojtarë interesantë, të rinj dhe të aftë për të luajtur në një kampionat të huaj. Dhe disa prej tyre do ta kenë këtë fat.
Lëvizja e parë është bërë, por ajo është brenda kampionatit. Eduard Rroca është blerë nga Kukësi dhe Luftëtari ka përfituar 50 mijë euro. Emri i tij figuronte në listën e disa skuadrave të tjera pretendente në Superiore, por edhe të Shkëndijës së Tetovës. Fantazisti 25-vjeçar ka zgjedhur Kukësin dhe tashmë do të ketë mundësi të tregojë vlerat e tij në një skuadër më kompetitive dhe më pas të kalojë në një kampionat të huaj. Gazeta Si sjell emrat e disa lojtarëve me më shumë shanse për t’u larguar nga kampionati shqiptar…

Fidan Aliti
Nëse Rroca do të qëndrojë në Superiore, Fidan Aliti do të largohet prej saj në janar. Mbrojtësi i Skënderbeut është i vetmi lojtar i Superiores që luan titullar me kombëtaren e Kosovës. Është nga mbrojtësit më të mirë të kampionatit dhe shitja e tij nga klubi korçar është formalitet. Aliti, 25 vjeç, pëlqehet shumë nga disa skuadra në Suedi dhe tani mbetet vetëm që palët të bien dakord për shifrat, për shumën që do të përfitojë Skënderbeu, që pritet të jetë mbi 500 mijë euro, si dhe shumën që do të përfitojë vetë lojtari nga kontrata që do të firmosë. Zyrtarizimi i shitjes së Alitit është vetëm çështje ditësh.

Dejvi Bregu
Sulmuesi 23-vjeçar vlonjat është një tjetër emër, në pritje të një kontrate me një klub të huaj. Lojtari që la Luftëtarin për Skënderbeun pritej të lëvizte që në verë, por dënimi i klubit korçar për të mos marrë pjesë në Kupat e Europës i ka prishur planet edhe për të. Gjithsesi, Bregu është një nga elementët më të spikatur të kampionatit dhe largimi i tij nga Superiorja është plotësisht i mundshëm. Ajo që duhet vërtetuar është nëse do ta bëjë këtë lëvizje që në merkaton e dimrit, apo në verë. Nga radhët e Skënderbeut është edhe mesfushori Bruno Dita një emër i lakuar për të shitur, por ashtu si për Bregun, edhe për të nuk ka ende oferta konkrete mbi tavolinën e drejtuesve korçarë.

Jasir Asani
Partizani i vendit të parë ka disa lojtarë të rinj mjaft cilësorë, që i pret një e ardhme jashtë vendit. I pari është Jasir Asani, një nga titullarët kyç në arritjet e deritanishme të të kuqve. Sulmuesi 23-vjeçar i krahut është nga ata lojtarë që po e udhëheqin Partizanin drejt titullit kampion me golat dhe lojën e tij. Paraqitja e tij e mirë sigurisht që nuk ka mbetur jashtë vëmendjes së menaxherëve shqiptarë dhe të huaj. Ofertat për Asanin mund të kenë ardhur që tani, por fakti që Partizani është pretendent kryesor për titullin kampion ndoshta bën që drejtuesit e klubit të kuq të mos privohen nga elementët më të mirë në këtë moment. Megjithatë, kuptohet që vendos oferta financiare. Nëse ajo është bindëse, atëherë shitja është e pashmangshme, sepse ofertat e mira financiare nuk është se vijnë në çdo moment.

Esat Mala
Në të njëjtën situatë me Asanin është edhe talenti tjetër i të kuqve, Esat Mala, 20 vjeç. Mesfushori që është gjithashtu pjesë e Kombëtares U-21 ka treguar një nivel të lartë në gjysmën e parë të kampionatit. Trajneri Skënder Gega e ka aktivizuar në disa role dhe ai e ka bërë më së miri detyrën. Ka shënuar gola vendimtarë për Partizanin në derbin me Tiranën dhe në ndeshjen me Kukësin, duke i dhënë fitoret skuadrës së tij. Pavarësisht moshës së re, ka një pjekuri të admirueshme si futbollist dhe duket gati për një aventurë europiane. Çështja është se kur Mala do të kalojë jashtë vendit, në janar apo më vonë. Edhe Jurgen Bardhi, po pjesë e Partizanit, shihet si një lojtar me mundësi kalimi jashtë vendit.

Vasil Shkurtaj
Kur luan me një ekip nga ata që quhen “të vegjël”, është shumë e vështirë për të qenë në nivele të larta, por Luftëtarit i ka ecur kohët e fundit në këtë drejtim. Pasi ka shitur Kristal Abazajn, Dejvi Bregun dhe tashmë edhe Eduard Rrocën, po përgatit një tjetër transferim, brenda ose jashtë vendit. Sulmuesi Vasil Shkurtaj është thuajse i larguar nga Luftëtari. Për 26-vjeçarin interesohet Kukësi dhe ndonjë ekip tjetër i Superiores, por Shkurtaj, në formë shumë të mirë, mund të lëvizë edhe jashtë vendit. Në moshë të re ka pasur përvoja te të rinjtë e Ajaksit, Olimpiakosit dhe Lacios. Ka luajtur me skuadra të ndryshme në Greqi, Portugali e Holandë, falë aftësive të mira teknike dhe parametrave fizikë. Duket momenti i duhur edhe për të, për të lënë Gjirokastrën.

Sherif Kallaku
Mesfushori 20-vjeçar i Teutës dhe ekipit Shpresa ka një të ardhme të sigurtë me atë çfarë ka treguar këtë sezon me durrsakët dhe sezonin e kaluar me fanellën e Laçit. Specialistët e vlerësojnë si një element mjaft cilësor, që po jep kontributin e tij në ecurinë e Teutës në kampionat, skuadrës që mban vendin e dytë aktualisht. Shumë shpejt klubi durrsak do të ketë mundësi të arkëtojë një shumë të konsiderueshme nga shitja e këtij lojtari të formuar te moshat e Tiranës dhe Partizanit dhe me një aventurë të shkurtër te moshat e Kremonezes në Itali.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje