Duhen edhe disa ditë deri në startin e Euro 2020 dhe adrenalina sa vjen dhe rritet për të parë në aksion kombëtaret pjesëmarrëse. Shumë kampionë janë të impenjuar me fanellën e vendit të tyre, por edhe shumë të tjerë mungojnë. Kompeticioni do të ketë shumë mungesa luksi. “Sun” ka ndërtuar formacionin e më të mirëve që do ta shohin Europianin nga… divani.
Ky formacion fillon me portierin Jan Oblak. Slloveni i saposhpallur kampion në Spanjë me Atletiko Madrid, nuk mundi të kualifikohej me Slloveninë e tij për në Europian.

Në mbrojtje bëjnë pjesë dy nga emrat më të bujshëm në formacionin e mungesave. “Sun” ka bërë një rreshtim me 5 mbrojtës, me Uan-Bisaka dhe Mendi në krahë, por këtu mund të futej edhe Teo Hernandez i Milanit, i lënë jashtë nga Franca. Emrat e nxehtë janë ata të qendrës, Zherom Boateng që nuk u grumbullua nga Gjermania, Virxhil Van Dijk që ka probleme fizike dhe Serxhio Ramos. Emri i “gran kapitan” nuk figuron në listën e trajnerit Luis Enrike te Spanja.
Emra impresionues edhe në mesfushë. Ata janë Isko i Spanjës, Pjaniç i Bosnjë Hercegovinës dhe Milinkoviç-Saviç i Serbisë. Dy të fundit nuk janë kualifikuar me skuadrat e tyre, kurse lojtari i Real Madridit është lënë jashtë liste.
Formacioni i mungesave të Euro 2020 mbyllet me dy emra shumë të rëndësishëm në sulm. Tabloidi anglez ka zgjedhur eksperiencën e Zllatan Ibrahimoviç, i dëmtuar në fazën finale të kampionatit, dhe bomberin e ri Erling Haland, sulmuesin norvegjez të Borusia Dortmundit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje