Drejtësia në Shqipëri është ende larg së qënurit në nivelin e asaj në SHBA dhe Bashkimin Europian. Si shembuj se kur arrihet ky standard, Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, gjatë fjalës së saj në Konferencën “Drejtësi në kohë sfidash” solli dy raste.
“Sipas normave dhe praktikave të miqve tuaj, Shtetet e Bashkuara, por edhe familjes tuaj të ardhshme, BE-së, do ta dimë që reforma në drejtësi ka qenë e suksesshme kur të mos quhet më normale të kesh gjyqtarë dhe prokurorë të përfshirë në shkelje të detyrës. Do të quhet gjithashtu e suksesshme kur të mos mendojmë më se është me vend që udhëheqës politikë në pushtet apo jashtë pushtetit të bëjnë thirrje për ndjekjen penale të këtij apo atij; të thuhet se drejtësia jepet vetëm kur në burg futet tjetri dhe se drejtësi nuk bëhet kur në burg futen të mitë. Kjo nuk është drejtësi; nuk janë këto standardet që duam t’ju ndihmojmë të arrini në Shqipëri dhe mendoj se nuk janë këto standardet që populli shqiptar kërkon kur flet për reformë në drejtësi”, tha Ambasadorja.
Deklaratat e Ambasadores pasojnë debatin e nisur nga Kryeministri Edi Rama, i cili gjatë fjalës që mbajti në Asamblenë Kombëtare të PS-së i kërkoi SPAK që të hetojë Sali Berishën dhe Ilir Metën, të cilët i quajti kampionë të korrupsionit.
Në më shumë se gjysmën e fjalës së tij, Rama nuk e fshehu pakënaqësinë ndaj punës së SPAK duke kërkuar që të ishte marrë me kohe me Ilir Metën, apo Sali Berishën dhe te mos merrej me raste të “nje arke me peshk”, referuar kësaj here ish-zvministres së Brendshme, Rovena Voda.
“Kjo do të thotë që SPAK dhe gjithë ata që duan të bëjnë drejtësi në vend duhet të kujtojnë se ne nuk e kemi humbur gojën dhe fakti që s’kemi folur por e kemi përdorur për të mbështetur cdo veprim, ne shtrënguam dhembet, ndërkohë që këtë turpin tjetër të Dvoranit nuk e kemi thënë ndonjëherë dhe ja po e them, kështu që thirrja ime në emër të gjithë juve dhe ne emër të partisë është zonja dhe zotërinj të SPAK zgjohuni dhe dilni në mbrojtje Shqipërisë sepse Shqipëria është sot e turpëruara përpara një non- grate një të vdekuri që i bën karshillëk këtij populli dhe tërë dynjasë”, tha Rama.
Këto fjalë të Ramës gjatë fundjavës, ja përsëriti Ambasadores Kim dhe SPAK-ut ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, gjithashtu pjesëmarrës në këtë konferencë.
“Ore kur do hapen nga drejtësia e re petët e lakrorit të këtij njeriu që e ka pasur okllainë e pushtetit në dorë kur kanë ndodhur gjëmat dhe skandalet më të mëdha në këtë vend?! Nëse është i pafajshëm siç ulërin me të madhe, dhe një dynja e gjitha, bashkë me vetë shtetin amerikan kanë lajthitur deri në pikën që t’i bien në qafë një plaku qelibar, atëherë le të na e thotë pra drejtësia e re këtë!”, tha Manja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje