Ambasadorja Amerikane në vendin tonë, Yuri Kim, ka dhënë ditën e sotme intervistën e parë pas ardhjes së saj në Tiranë. Në ”Euronews Albania”, ambasadorja Kim i ka dhënë disa mesazhe të forta politikës dhe Gjyqësorit në Tiranë.
Ambasadorja theksoi se rezultatet e kësaj reforme janë reale dhe se SHBA e sheh si përparësi në Shqipëri këtë reformë që të shkojë deri në fund.
Kim nuk hezitoi të shprehte dhe qëndrimin e politikës shqiptare për reformën, duke thënë se “ka shumë që nuk e duan. “Unë punoj me një gamë të gjerë njerëzish dhe do të vazhdoj ta bëj këtë”, u shpreh ajo. Por ajo që mund t’ju them është që për qeverinë amerikane, reforma në drejtësi në Shqipëri mbetet përparësi dhe, për mua personalisht, mbetet një përparësi dhe kam në plan t’i kushtoj gjithçka mundem për ta bërë realitet. Do të thotë që do të ketë frustrim, e pres këtë të ndodhë, sepse ka disa që nuk duan që të ndodhë. Ka edhe çështje kapacitetesh. Por ajo që mund të them është se do të bëj përpjekjet e mia më të mira; kushdo rreth meje do të bëjë më të mirën dhe tani është në dorën e udhëheqësve politikë që të tregojnë seriozitetin e tyre për ta bërë këtë realitet”, theksoi ambasadorja Kim.
E pyetur nëse ajo që kemi bërë deri më sot për reformën në drejtësi është më e mira që mund të kishim bërë, Kim tha se askush nuk duhet të pretendojë përsosmëri, pasi kjo nuk është e mundur.
Duke iu referuar reformës në drejtësi si “elefanti në dhomë”, Kim tha se pjesa e parë është realizuar. “Varet nga gjykatësit që të fillojnë të tregojnë se gjykatat po funksionojnë. Dhe mendoj se kemi filluar ta shohim këtë. Javën e kaluar, Gjykata e Lartë nxori disa vendime dhe po fillojmë të shohim pakësimin e çështjeve të mbartura dhe vazhdimin e vetingut. Pra, ka lëvizje, por edhe unë jam me popullin shqiptar: është koha për një shtysë të re për të bërë përparim,” deklaroi ambasadorja Kim.
Mesazhi tjetër i fortë i Kim ishte sa i përket çështjes së Dvoranit dhe sulmeve nga presidenti Ilir Meta dhe opozita. Ambasadorja Kim, theksoi se pavarsisht se është një gjë e mirë të pyesësh ndërkombëtarët, në finale vendimi duhet të jetë i pandikuar dhe me integritet nga organet vendase. “Ata nuk duhet të lejojnë asnjë faktor të jashtëm që të ndërhyjë në procesin vendimmarrës. Sigurisht, siç e thashë më parë, cilido është i lirë të shprehë mendimin e vet; unë mund ta shpreh, ti mund ta shprehësh, cilido mundet. Por në fund të ditës, vlera e një gjykate në këtë kuadër të reformës në drejtësi është që ato të funksionojnë me pavarësi dhe integritet”, tha ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje