Edhe pse të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor u kthyen në shtëpi pas darkës së përbashkët me Shefin e Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, po qëndron sot në Bruksel, në përpjekjen e radhës për të mos e ndarë vendin e tij nga Shqipëria për nisjen e negociatave të anëtarësimi.
Pas takimeve me Borrell dhe Komisionerin Oliver Varheleyi, ku u kërkoi të mbanin fjalën dhe të hapnin sa më parë bisedimet me vendin e tij, Zaev do të takohet me kryetarin e Këshillit të Europës, Charles Michel, në përpjekjen e tij të fundit në selinë e BE-së për t’i prezantuar argumentet e Maqedonisë së Veriut për fillim zyrtar të negociatave për anëtarësim.
Kjo është vizita e dytë e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut në Bruksel brenda një jave. Një javë më parë, ai u takua me kryetaren e Komisionit Evropian dhe shefin e diplomacisë së BE-së.
Ai pritet t’i kërkojë kryetarit të Këshillit të Europës, i cili kryeson me organin më të lartë të BE-sëë,takimet ose samitet e liderëve të BE-së, që BE të mos braktisë Shkupin në rrugën e anëtarësimit përballë vetos nga Bullgaria dhe të gjejë një zgjidhje për të vazhduar sa më shpejt përpara me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Edhe pse, Këshilli i Europës nuk merr vendime, ai është organi kryesor ku hartohen dhe përcaktohen politikat e Bashkimit Europian. Mishel ka një rol për të luajtur në ndërtimin e një kompromisi midis 27 liderëve të shteteve dhe qeverive të Bashkimit Europian.
Mediat maqedonase thonë se pritet që kryeministri Zaev të përsërisë Michelit argumentet se është e nevojshme që Maqedonia e Veriut të mbajë Konferencën e parë ndërqeveritare para përfundimit të presidencës Portugeze në korrik, në mënyrë që të ruajë dhe përmirësojë kredibilitetin e Bashkimit Evropian si në vend ashtu edhe në rajon.
Duke folur në një konferencë për shtyp pas darkës së liderëve të rajonit, kryeministri Zaev tha në konferencë për shtyp në Bruksel tha se Qeveria e Maqedonisë së Veriut i përmbushi kriteret për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe se tani topi ishte në portën e BE-së.
“Presim të mos ketë anulim të mëtejshëm të bisedimeve. Presim miratimin e kornizës negociuese dhe mbajtjen e konferencës ndërqeveritare me BE-në dhe me këtë të zyrtarizojmë nisjen e bisedimeve”, tha Zaev. Megjithatë, Zaev dërgoi një mesazh edhe Bullgarisë duke thënë se identiteti dhe gjuha maqedonase nuk janë dhe asnjëherë nuk kanë qenë temë për të negociuar.

“Kjo as ka qenë dhe as që duhet të jetë në tryezën e negociatave për anëtarësim në BE”, tha Zaev.
Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria morën në muajin mars të vitit 2020dritë jeshile nga të gjithë 27 anëtarët e BE-së për të filluar njëzëri negociatat me BE, por Bullgaria bllokoi miratimin e kornizës negociuese për shkak të një mosmarrëveshje dypalëshe mbi identitetin, gjuhën dhe historinë maqedonase. Shumica e vendeve anëtare të BE-së kanë deklaruar hapur se nuk e mbështesin Bullgarinë në këtë bllokadë, por Sofja ka të drejtën e vetos dhe se vetëm me pëlqimin e të 27 vendeve të BE mund të miratohet korniza për konferencën e parë ndërqeveritare. Për aq kohë sa Shkupi dhe Sofja nuk arrijnë një marrëveshje, edhe negociatat me Shqipërinë do të mbeten po ashtu në vend.
Por duke folur në një konferencë, Zaev hodhi poshtë një idenë e hedhur nga Komisioneri Europian i Zgjerimit Olivér Várhelyi për të ecur përpara me bisedimet e anëtarësimit për Shqipërinë dhe të mbante në pritje Maqedoninë e Veriut. Zaev vuri në dukje se krerët e institucioneve europiane, si dhe vendet e shumta anëtare të BE, deklaruan qartë ditët e fundit se të dy vendet duhet të shkojnë përpara së bashku. “Gjermania, Sllovakia dhe Greqia janë ndër ata që e kanë bërë të qartë se nuk ndajnë pikëpamjet e komisionerit hungarez”, tha Zaev.
“Ekziston një mesazh i qartë kundër shkëputjes dhe shpresoj se Bullgaria do të jetë e arsyeshme,” tha Zaev.
Zaev sugjeroi që Várhelyi mund të ketë qenë duke u përpjekur të shtynte Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë të arrijnë një marrëveshje për të mbajtur sa më parë konferencën e parë ndër-qeveritare. “Unë gjithmonë besoj në qëllime të mira dhe besoj se ai donte të bënte presion mbi ne dhe Bullgarinë për të gjetur një zgjidhje, nëse është e mundur,” tha ai.
Ai shprehu optimizëm se mund të gjendet një zgjidhje pë fundi i ngërçit me Bullgarinë, duke përshkruar problemet midis Sofjes dhe Shkupit si “jo thelbësore”.
Sidoqoftë, qeveria e re e përkohshme e Bullgarisë ka paralajmëruar se i mungon autoriteti për të hequr veton ndaj Shkupit, duke ulur më tej shanset që mosmarrëveshja të zgjidhet përpara qershorit, kur BE kishte planifikuar fillimin e bisedimeve të pranimit.
Zaev tha se shpresonte që qeveritë më të fuqishme perëndimore, duke përfshirë administratën e re të Presidentit Joe Biden të SHBA, do të ndihmonin në zgjidhjen e bllokimit. Nëse nuk ka ndonjë përparim, paralajmëroi ai, procesi i zgjerimit do të jetë i ngrirë për të paktën një vit e gjysmë, ndërsa zgjedhjet zhvillohen në Bullgari dhe në fuqitë e mëdha të BE Gjermania dhe Franca.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje