Edhe pse kishte shkuar në Bruksel për të marrë bekimin e vendeve skeptike, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev u përball me makthin e tij më të keq dhe për këtë ka fajësuar trazirat politike në Shqipëri.
Duke folur për vendimin e BE-së për nisjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, Zaev tha se Holanda dhe Franca kanë më shumë rezerva për nisjen e negociatave me Tiranën. Kreu i qeverisë se vendit fqinj shkoi edhe më tej, duke deklaruar se gjermanët frikësohen nga kërcënimet e palës shqiptare se vendimi mund të ndikojë për jostabilitet në rajon dhe mund të çojë në Bashkimin e Shqipërisë me Kosovën.
“Ata mendojnë se nëse i hapin negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe lihet jashtë Shqipëria, do të krijohet problem dhe mund të ndikojë tek Kosova. Gjermanët frikësohen nga kërcënimet e mikut tim Edi Rama për ndryshime të mundshme të kufijve ose bashkimit me Kosovën, por unë nuk besoj në këto punë, pasi kjo do të thotë kthim prapa për 10 vjet për Shqipërinë. Ndërsa një gjë të tillë nuk e dëshiron askush”, tha mes tjerash Zaev.
Kryeministri i Maqedonisë se Veriut vërtetoi edhe disa nga thashethemet që qarkulluan pas samitit të Berlinit, sipas të cilave Zaev kishte kërcënuar kancelaren Angela Merkel me dorëheqje nëse negociatat shtyhen sërish.
Duke folur përpara një grupi të zgjedhur gazetarësh të huaj në Bruksel, ai theksoi se shtyrja e mundshme e datës për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut, mund të çojë në rrëzimin e qeverinë së tij dhe mund të kthejë forcat nacionaliste në pushtet.
“Shtyrja e sërishme e rrit rrezikun e qeverisë. Bundestagu duhet të dërgojë mesazh. Nëse nuk marrin një vendim në seancën e kësaj jave, do të kenë mundësi deri në fund të qershorit, por nëse nuk e marrin vendimin deri atëherë, Bundestagu do të votojë në shtator. Deri atëherë ekziston mundësia që ta humbim shumicën në Kuvend, për të cilën vërtetë jemi angazhuar”, tha Zaev.

Rama: I kemi bërë detyrat e shtëpisë
Si për t’iu kundërpërgjigjur këtyre deklaratave kryeministri Edi Rama ka deklaruar sot në një intervistë për “Die Welt” se ashtu siç e kishte rekomanduar edhe Komisioni Europian, Shqipëria është gati për hapjen e negociatave me BE-në, sepse i ka bërë “detyrat e shtëpisë”.
“Vitin e kaluar, Komisioni Europian rekomandoi hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë në vitin 2018. Kjo nuk ndodhi. Megjithatë, Bashkimi Europian u zotua për nisjen e negociatave në 2019-n. Jean-Claude Juncker, presidenti i Komisionit Europian, tha më herët në vitin 2014 se zgjerimi do të ngrihej për pesë vjet dhe tani jemi në 2019-n. Marrëveshja e Maqedonisë me Greqinë përfaqëson një hap historik në diplomacinë e rajonit. Duket se ky është momenti i duhur. Në të njëjtën kohë, është e pamundur tashmë që të parashikosh çfarëdo gjëje rreth asaj që Bashkimi Europian do të bëjë më tej. Ky është një problem brenda familjes dhe parashikueshmëria është gjëja e fundit që mund të kërkojmë”, deklaroi kryeministri.
“ Ndaj është e rëndësishme që pikë së pari kemi bërë detyrat tona të shtëpisë dhe se që prej vitit të kaluar, konsiderohemi nga Komisioni Europian se jemi tanimë gati për hapjen e negociatave. Komisioni, në pikëpamjen time, është institucioni i vetëm që ka ekspertizën e duhur dhe njohurinë e plotë të detajeve e historikut të secilit vend. Thënë kjo, pjesa tjetër është thjesht politikë dhe asnjëherë nuk i dihet. Por, në fund të ditës, ajo që ka rëndësi është që ne nuk po e bëjmë të gjithë këtë për të tjerët, ne po e bëjmë për veten tonë dhe fëmijët tanë, sepse procesi i integrimit është një vegël fantastike modernizimi. Përshtatja e standardeve europiane është të bësh pikërisht atë që brezat e ardhshëm meritojnë”, thekson Rama.
I pyetur nëse ndihet më pak optimist rreth anëtarësimit në BE, kryeministri thotë se: “Ne mënyrë gati tragjike unë kam qenë gjithmonë optimist. Jeta ime dhe historia jonë më tregojnë vazhdimisht se optimizmi tragjik është zgjidhja më e mirë. Tani, edhe holandezët, të cilët janë skeptikë, kanë thënë që kemi bërë hapa të mëdhenj përpara. Holanda, së bashku me Gjermaninë dhe Austrinë, kanë dhënë një ndihmë të madhe për ne”.
Duke iu referuar zërave skeptikë për zgjerimin e unionit (Franca, Holanda Belgjika, Danimarka), kreu i qeverisë thekson se Shqipëria nuk pretendon të anëtarësohet në BE që tani, por do thjesht hapjen e negociatave. “
Koha për t’u anëtarësuar do të vijë më vonë. Është si të planifikosh një martesë, por jo të martohesh menjëherë. Kjo e bën të gjithë këtë situatë edhe më frustuese dhe edhe më absurde, sepse ndërsa kemi bërë gjithçka që na është kërkuar për hapjen e negociatave, trajtohemi sikur duhet të vendoset që tani nëse do të jemi apo jo pjesë e Unionit. E kjo është thjesht e pavërtetë”, shprehet Rama. “Për ne, BE është ajo që ishte edhe për ta, një projekt paqeje dhe një vend ku mund të gjesh një hapësirë të përcaktuar, të pakërcënuar nga konfliktet e të shkuarës. Për europianët e sotëm, lufta është një lloj sajese televizive bardh e zi. Nga ana tjetër, pa dyshim, Bashkimi Europian ka problemet e tij. Është një kohë vërtet komplekse dhe nuk është e lehtë të bësh parashikime”, shton ai.

I pyetur nga gazetari i “Die Welt” nëse ka një ide të gabuar rreth Shqipërisë në Europë, Rama thotë se perceptimi për vendin tonë ka qenë me negativ, por se po përmirësohet falë të huajve që e vizitojnë Shqipërinë nga afër.
“Do të thosha që ka qenë edhe më keq. Po bëhet më mirë dhe do të vijojë të bëhet më mirë, sepse gjithmonë e më shumë njerëz po vijnë në Shqipëri dhe po kuptojnë që vendi ynë është tërësisht i ndryshëm nga përgjithësimet negative mund të kenë besuar. Kjo ide do të përhapet, por në të njëjtën kohë, dembelizmi gazetaresk është një karakteristikë e kohëve tona. Për një gazetar dembel nuk mund të presësh lajme të mira, por vetëm lajme të këqija, sepse pa dyshim ato shesin më shumë”, thekson kryeministri.
Ai ka çmuar po ashtu edhe rolin e papërseritshëm të kancelares Merkel, për të cilën thekson se ka qenë dhe mbetet kampionia e Ballkanit dhe e Europës”
“Gjermania është Gjermania. Kancelarja Angela Merkel është e papërsëritshme dhe ajo ka një vizion tejet të qartë rreth Ballkanit, rreth të shkuarës dhe të ardhmes së këtij rajoni. Kjo është arsyeja përse ajo ka qenë dhe mbetet kampionia jonë. Lidershipi i saj e ka shndërruar Gjermaninë në shpëtimtaren e Europës. Nuk e di se ku do të ishte Europa sot nëse nuk do të kishte qenë Anxhela Merkel në kohën e krizës së refugjatëve. Edhe pse i është dashur të paguajë një çmim të lartë për këtë, gatishmëria e saj për ta paguar atë çmim e bën një lider edhe më të madh. Gjermania është shumë e drejtë dhe e qartë në përgjithësi, çka nuk mund të thuhet për të gjitha vendet”, thotë Rama, duke “thumbuar” kështu shtetet skeptike ndaj zgjerimit si Franca apo Holanda.
Parisi deri më sot nuk ka ndërruar qëndrimin ndaj hapjes së bisedimeve të anëtarësimit me BE për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Por tani pritet të hyjë në skenë Gjermania, përkatësisht Bundestangu, i cili sipas rregullave të Berlinit duhet që të japë së pari dritën jeshile qeverisë së Angela Merkelit në mënyrë që ajo t’i thotë “po” hapjes së bisedimeve të anëtarësimit me 18 qershor.

Kanë mbetur edhe 2 javë deri në takimin e ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të BE-së, por deri më tani nuk është caktuar ndonjë datë për takimin në parlamentit gjerman për këtë çështje. Me mendimet e ndryshme në radhët e parlamentarëve të partive partnere gjermane në pushtet, CDU/CSU, sidomos për Shqipërinë, situata nuk është premtuese. Në Shkup dhe Tiranë qeveritarët po shpresojnë se deri më 18 qershor, takimit të ministrave të jashtëm, apo edhe pak ditë më pas në takimin e krerëve të qeverive dhe kryetarëve të shteteve anëtare, situata do të ndryshojë për të mirë në radhët e vendeve anëtare të BE-së.
Ekspertët paralajmërojnë se një “jo” për dy vite me radhë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do të ishte një goditje e madhe ndaj të dyja vendeve.
Qeveria e Zoran Zaevit do të gjendej në pozitë të vështirë pas ndryshimit të emrit dhe kjo do të shtonte presionin nga radhët e VMRO-DPMNE dhe partive të tjera opozitare. Nga ana tjetër, Shqipëria tashmë ndodhet në një krizë të brendshme dhe trazirat që kanë filluar që nga muaji shkurt kanë “errësuar” perspektivën e hapjes së bisedimeve.
Në këto kushte, edhe zyrtarët e lartë amerikanë kanë paralajmëruar se vendimi për negociatat mund të shtyhet për në vjeshtë.
“Nëse Bashkimi Europian nuk vendos një datë për negociatat në qershor, atëherë vendimi është në korrik ose tetor”, deklaroi në intervistë për Zërin e Amerikës, Mathew Palmer, Zëvendësndihmës Sekretari i Këshilltarit për Europën dhe Euroazinë.
“E di se do të ketë probleme të caktuara lidhur me kohën e marrjes së vendimit në Bundestag. Nuk e di nëse vendimi do të jetë të merret në qershor ose potencialisht në korrik, pasi varet nga procedurat e brendshme në Bundestag. Megjithatë, SHBA-ja shpreson dhe e përkrah Këshillin Europian që t’i hapë negociata më të dyja vendet”, tha Palmer. “I inkurajoj vendet anëtare të marrin parasysh fotografinë e madhe”, shtoi zyrtari i lartë.
Ai thotë se Marrëveshja e Prespës është arritja më e madhe diplomatike në Ballkanin Perëndimor pas Marrëveshjes së Dejtonit dhe se vazhdimësia e saj do të varet drejtpërsëdrejti nga anëtarësimi në BE. “Besojmë se Qeveria e Maqedonisë së Veriut është e përkushtuar që të vazhdojë përparimin në plotësimin e reformave”, vlerëson Palmer
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)





Lini një Përgjigje