Futboll

Zbardhet protokolli i FSHF-së për mbylljen e sezonit, masa si në Gjermani

Federata Shqiptare e Futbollit pret “ok”-in e qeverisë për nisjen e aktiviteteve sportive dhe mbylljen e kampionateve në fushë. Institucioni që drejton futbollin në vend ka dorëzuar pranë instancave përkatëse protokollin me masat për vazhdimin e garës, për të pasur siguri shëndetësore në këtë situatë. Një protokoll i ngjashëm me atë në Gjermani, me masa të forta higjeno-sanitare.

Në këtë protokoll parashikohet që lojtarët të mos shtrëngojnë duart para ndeshjes, të mos ketë fëmijë në fushë. Stadiumet do të ndahen në 3 zona dhe në një ndeshje nuk do të ketë më shumë se 175 persona të pranishëm në stadium, 1 në çdo tre ulëse. Po ashtu, lojtarët dhe trajnerët do të kryejnë teste të shpeshta për Covid-19.

“Air Albania Stadium” do jetë bosh në ndeshjet e fundit. Gazeta Si, 3 maj 2020

Ndarja e zonave të stadiumit
(Zona1, fusha) Kjo zonë është për lojtarët, trajnerët, stafin teknik dhe gjyqtarët.
(Zona2, tribuna) Kjo zonë shërben për punonjësit e transmetimeve TV, stafin dhe delegacionet e ekipeve dhe disa përfaqësues të tjerë të mediave. Ky grup mund të hyjë edhe në stadium, por duhet të mbajë një distancë nga grupi i gjelbër (Zona 1).
(Zona 3, përreth Stadiumit) Kjo zonë përfshin përfaqësues të tjerë të mediave dhe punonjës të tjerë. Pjesëtarët e këtij grupi mund të qëndrojnë vetëm jashtë territorit të stadiumit.

Numri i personave të grumbulluar
Zona 1, fusha dhe zona teknike 88 persona
Zona 2, tribuna 55 persona
Zona 3, perimetri i stadiumit 32 persona

Udhëzimet për ushtrimin e aktivitetit
Një shërbim mjekësor sanitar, i pajisur me skaner për matjen e temperaturës, në hyrjen e stadiumit, për të gjitha subjektet e autorizuar.
Një dokument me të gjitha normat higjieno-sanitare të adoptuara në secilin impiant sportiv, përpara zhvillimit të çdo eventi, i cili u duhet prezantuar autoriteteve, në rast kërkese.
Një modul elektronik për të certifikuar subjektet që do të hyjnë në impiant dhe masa kontrolluese për të evituar sa më shumë rrezikun e infeksionit.
Do të vendosen dezinfektues duarsh në të gjitha këto mjedise për tu ardhur në ndihmë futbollistëve, stafeve dhe zyrtarëve;
Të gjithë stafet të qëndrojnë me maska dhe doreza gjatë punës, para, gjatë dhe pas ndeshjeve; Përdorimi i maskave dhe dorezave është i detyrueshëm sidomos gjatë udhëtimeve të ekipeve, pra në autobusë, në furgona dhe çdo grumbullim tjetër të detyrueshëm në vende të mbyllura;
Hotel ekskluziv për ekipin ose katin / zonat ekskluzive për të shmangur kontaktin me vizitorët e tjerë të hotelit.

Kush hyn në stadium, përveç skuadrave
Zyrtarët e ndeshjes.
10 persona zyrtarë të autorizuar nga çdo skuadër, qëndrimi është I lejuar vetëm në tribunë dhe me një largësi prej 2 metra nga njëri-tjetri.
4 fëmijë për kapjen e topave
Përgjegjësit e sigurisë publike 4 persona, stjuardët e parashikuar në zonat e piketuara deri në 20 persona, zjarrfikësit 4 persona, operatorët e ndihmës së shpejtë, të parashikuar sipas ligjit.
Vetëm operatorët televizivë dhe gazetarët e rrjeteve titullare të drejtave të transmetimit “live”.
Fotografët zyrtarë dhe zyra e shtypit e të dyja skuadrave.
Gazetarët dhe fotografët e autorizuar nuk do të jenë më shumë se 20 vetë, por ndërkohë ata do të jenë të ndaluar që të kenë kontakte me personelin e dy skuadrave.
Në tribunën e shtypit, të gjithë gazetarët dhe fotografët e akredituar do të duhet të qëndrojnë të paktën 2 metra larg njëri-tjetrit.
Në terrenin e lojës do të mund të zbresin vetëm fotografët zyrtarë të të dyja klubeve. Ndërsa ata të jashtmit do të kenë një vend të rezervuar dhe të kushtëzuar, por kurrsesi brenda terrenit të lojës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë