Futboll

Zbulohen burofax-i i Mesit për largimin dhe kontrata gjysmë miliardi e Nejmarit

Zbulohet pas pak më shumë se një viti burofax-i i famshëm i Lionel Mesit. Më 24 gusht 2020, ai i dërgoi Barcelonës një mesazh të certifikuar, duke iu referuar klauzolës që e lejonte të largohej me parametra zero nga klubi katalanas në fund të sezonit. “Mundo Deportivo” ka publikuar ekskluzivisht dokumentin e dërguar nga argjentinasi që tashmë ka kaluar te PSG. Ishte fillimi i një viti torturues, që në fund solli “divorcin” mes palëve.

Burofax-i i Mesit. Gazeta Si, 5 shtator 2021

Përmbajtja e burofax-it është kjo: “Me këtë dokument dhe duke iu referuar klauzolës 3.1 të kontratës së 25 nëntorit 2017, vërtetoj vullnetin për prishjen e kontratës së punës si futbollist profesionist me efekt që nga 30 gushti 2020”.

Ky është edhe momenti kyç i luftës me Barcelonën, sepse në klauzolën e cituar nga argjentinasi, gjithmonë duke iu referuar të përditshmes spanjolle, shkruhet se lojtari është i lirë ta prishë kontratën në fund të sezonit 2019-2020 “nëse ia komunikon klubit vendimin brenda 10 korrikut 2020”.

Mesi ka kërkuar të largohet më 24 gusht, disa javë më pas, por në burofax është justifikuar me specifikën e sezonit, që u ndërpre dhe pastaj u mbyll me vonesë për shkak të pandemisë. Për Mesin, dita e fundit e sezonit ishte 23 gushti, data e finales së Ligës së Kampionëve mes Bajernit dhe PSG-së. Pjesa tjetër e historisë tashmë është e njohur.

Nejmar dhe Al Khelaifi. Gazeta Si, 5 shtator 2021

Një tjetër zbulim ekskluziv nga Spanja është edhe ai që ka të bëjë me kontratën e Nejmarit me PSG-në. Sipas “El Mundo”, që ka publikuar kontratën e Nejmarit, braziliani i ka kushtuar klubit parisien gjysmë miliardi euro. Saktësisht, PSG ka paguar 489.228.117 euro për kartonin dhe pagën e lojtarit.

Kontrata e firmosur më 3 gusht 2017, parashikonte një pagë vjetore prej 43.334.400 eurosh, për 5 vjet. Po ashtu, është shtuar edhe një vit i 6-të në kontratë, për të cilin Nejmar ka përfituar shumën e 50.556.117 eurove, nëse lojtari qëndron në klub, si bonus. E gjitha kjo shumë, bashkë me klauzolën e 222 milionë eurove, e ka çuar operacionin në 490 milionë euro.

“El Mundo” shton se rinovimi i lojtarit deri në vitin 2025 është mbyllur me kushte ekonomike të ngjashme me ato të vitit të fundit të kontratës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë