Ne rrjet

Zbuloi datën e pushtimit në Ukrainë, vdes miku i Putinit që riktheu nacionalizmin në Rusi

Gazeta Si  – Vladimir Zhirinovsky, një nacionalist i zjarrtë rus, lider partie dhe kandidat presidencial, i cili krijoi një ndjekës të konsiderueshëm gjatë viteve kaotike post-sovjetike 1990 me premtimet për të rikthyer lavdinë e perandorisë sovjetike, vdiq në moshën 75-vjeçare pas një beteje të gjatë me komplikimet e COVID-19. Vdekja e tij u njoftua nga kryetari i dhomës së ulët të parlamentit rus, Vyacheslav Volodin.

Parashikoi pushtimin rus në Ukrainë

Lajmi se ai kishte vdekur, ishte publikuar në media aq shumë herë, saqë deputetët e partisë së tij, kishin shkruar një ligj për të ndaluar “fake neës” për vdekjen e tij. Por të mërkurën në mbrëmje, Vladimir Zhirinovsky me të vërtetë ka vdekur.

Në fund të dhjetorit të kaluar, ai mbajti fjalimin e fundit në Duma. Duke u tallur me shtetet e huaja që ishin të shqetësuara për një luftë të mundshme ruse kundër Ukrainës, ai tha se pushtimi do të ndodhte “në 4 të mëngjesit të 22 shkurtit”.

Kishte gabuar vetëm dy ditë. Disa orë më vonë ai u shtrua në spital. Një mohues i zjarrtë i Covid-it, vdiq pikërisht nga virusi në moshën 75-vjeçare, pas një agonie që zgjati tre muaj.

Ligji që ndalonte shpërndarjen e informacionit të rremë për shëndetin e tij u miratua më 5 prill. Një ditë para vdekjes.

Personazh i ashpër politik

Nga skena, del një personazh që pati momentin e tij të lavdisë në vitet ’90, por që deri në fund mund të mbështetej në një bërthamë të fortë ithtarësh për partinë e tij personale dhe të vetëquajtur Liberale, të cilët jetuan mbi të gjitha me imazhin e tij, si një njeri i ashpër.

Polemist dhe shpesh folklorik. Nekrologjitë e mediave të pavarura e kujtojnë atë duke përdorur shpesh terma të tillë, si klloun, dhe nuk ka dyshim se ai i përkiste peizazhit të larmishëm të ekscentrikëve rusë.

Por Zhirinovsky, ishte diçka më shumë dhe më keq se politikani që sfidoi shkrimtarin Limonov, me ata që mund të pinin një shishe vodka me një të ngritur, ose që në një debat televiziv tallej me të riun Boris Nemstov, i cili kundërshtoi Vladimir Putinin (më vonë u vra në 2007), duke i hedhur në fytyrë një gotë plot me lëng portokalli.

Njeriu që në vitin 1989 kishte përgatitur manifestin e një partie socialdemokrate, por e quajti atë Liberale, sepse në atë kohë kishte filluar të dilte nga moda, ishte i pari që mbolli farën e nacionalizmit në një Rusi të dëshpëruar dhe krizë identiteti.

Grushti i dështuar i shtetit

Në vitin 1991, pasi mbështeti grushtin e dështuar kundër Mikhail Gorbaçovit, ai krijoi një imazh të ri, duke propaganduar nacionalizmin e tij etnik. “Ata po na rrethojnë, – tha ai. – Projekti i Perëndimit, është të shtrëngojmë veten në kontrollin e kinezëve, myslimanëve, gjermanëve dhe balltikëve, në mënyrë që të asgjësojnë Rusinë në harkun kohor të tridhjetë viteve”.

Në atë kohë, fjalët e tij i dhanë një popullaritet të konsiderueshëm personal. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 1993, ai mori 23 për qind të votave.

Që atëherë e tutje, përmes disa ndryshimeve, partia e tij ka ruajtur gjithmonë rolin e një opozite të rreme, duke mbajtur një 7-8 për qind që i lejoi atij një mbijetesë personale bazuar në deklarata bombastike dhe në një nacionalizëm gjithnjë e më të shfrenuar. Në Moskë, Shën Petersburg dhe në qytetet e mëdha ruse, ai merrte gjithmonë përqindje.

Putini i përvetësoi parullat nacionaliste

Me neo-imperializmin e tij, Zhirinosvky kërkoi dhe gjeti konsensus në Rusinë e thellë, në provincat e largëta, midis klasave më pak të arsimuara dhe më pak të lidhura, më të ekspozuara ndaj sugjerimeve të tij.

Kur Putini erdhi në pushtet, një nga këshillat e para që këshilltarët e tij i dhanë, ishte të pinte çaj me të. Ata u bashkuan menjëherë. Zhirinosvky shkëmbeu çdo formë të mundshme të opozitës për një pozicion të respektueshëm të garantuar për njerëzit e tij, Putini përvetësoi parullat dhe formulën e tij.

Historia e Partisë Liberale Ruse të vetëquajtur, përfundoi në atë moment. Kreu i saj i kaloi njëzet vitet e fundit, duke siguruar votat e nevojshme për të hyrë në Duma, i hipur mbi imazhin e tij gjithnjë e më paroksizmal, duke u bërë idhulli i televizionit më ekstrem me shpërthimet e tij. Por gjithsesi ai e fitoi betejën e tij kulturore.

Ai do të mbahet mend për tërbimin e tij, kur i veshur me një kapele të ushtrisë serbe, valëviti flamurin e partisë së tij, duke kërkuar ndalimin e sulmeve të NATO-s ndaj Serbisë pas masakrave në Kosovë, jashtë Ambasadës së SHBA në Moskë në vitin 1999.  

Sot në Rusi, duke filluar nga Putini, të gjithë flasin si ai. Nacionalizmi u pastrua nga plagët e vjetra, duke u bërë një kryefjalë, një tipar identitar i Rusisë së re.

Përshtati në shqip: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë