Bota

Zelenski i kërkon G7 që të izolojë plotësisht Rusinë

Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski, ka mbajtur fjalim në samitin e shtatë shteteve më të industrializuara (G7) dhe u ka bërë thirrje liderëve botërorë që të bllokojnë sektorin rus të energjisë me sanksione tjera, për t’ia bërë të pamundur përfitimet financiare.

Ai i ka bërë këto deklarata dy ditë pas sulmeve ajrore vdekjeprurëse të Rusisë nëpër qytetet ukrainase.

Si pasojë e sulmeve kanë vdekur të paktën 19 persona dhe qindra qyteza e fshatra kanë mbetur pa rrymë elektrike.

Me pjesëmarrje virtuale, Zelensky ka thënë se Rusia duhet të izolohet plotësisht dhe të ndëshkohet. Të ndëshkohet si në aspektin politik, ashtu edhe përmes sanksioneve”.

“Hapa të tillë e bëjnë paqen më të afërt, inkurajojnë shtetin terrorist që të mendojë për paqen, për dëmet e luftës”, u ka thënë Zelensky liderëve të Shteteve të Bashkuara, Kanadasë, Gjermanisë, Britanisë, Japonisë, Francës dhe Italisë.

Liderët e G7-s kanë dënuar sulmet e fundit të Rusisë dhe kanë thënë se do ta mbajnë përgjegjës presidentin rus, Vladimir Putin për to.

“Ne dënojmë këto sulme në nivelin më të lartë dhe rikujtojmë se sulmet pa dallim ndaj popullatës civile përbëjnë krime lufte”, është thënë në deklaratë.

Përgjatë fjalimit të tij, Zelensky u ka bërë thirrje liderëve botërorë për më shumë mbrojtje ajrore që mundësojnë neutralizimin e sulmeve ajrore.

Ai ka falënderuar të gjitha shtetet që kanë ndihmuar Ukrainën që të sigurojë sisteme ajrore për mbrojtje sidomos Shtetet e Bashkuara dhe Gjermaninë.

Zelensky ka thënë se G7 duhet të pranojë se nuk mund të ketë dialog me Putinin, i cili, sipas tij, beson vetëm në terror.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt. Presidenti Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë