Gazeta Si – Volodimir Zelenski është takuar me homologun e tij Joe Biden në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë në vizitën e tij të parë jashtë vendit që nga fillimi i konfliktit.
“Shtetet e Bashkuara duan një paqe të drejtë, – siguroi presidenti amerikan. – Ne jemi me ju, pranë jush. Ukrainasit me guximin e tyre janë një frymëzim për botën. Putini nuk dëshiron t’i japë fund luftës”.
“Konflikti nuk ka mbaruar”, nënvizon presidenti ukrainas, i cili nga ana e tij kujton se një “paqe e drejtë” është ajo me “pa kompromis mbi sovranitetin”.
administrata e Presidentit Biden shpalli një pako të re ndihmash ushtarake për Ukrainën me vlerë 1.8 miliardë dollarë. Ndihma do të përfshijë edhe sistemin e përparuar të mbrojtjes raketore, ‘Patriot’.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u prit në Shtëpinë e Bardhë nga presidenti Biden dhe zonja e parë Jill. Përveç takimit me presidentin Biden në Shtëpinë e Bardhë, Zelensky do t’i drejtohet me një fjalim Kongresit.






Ky është udhëtimi i parë i presidentit Zelensky jashtë vendit që nga fillimi i sulmit rus më 24 Shkurt të këtij viti. Presidenti Zelensky dhe zyrtarë të tjerë ukrainas u kanë bërë presion udhëheqësve perëndimorë që të ofrojnë armë më të përparuara, përfshirë sistemin e raketave ‘Patriot’, për të ndihmuar vendin në luftën kundër Rusisë.
Vizita e Presidentit Zelensky në Shtetet e Bashkuara vjen në një kohë kur Kongresi pritet të votojë buxhetin, i cili do të përfshijë një ndihmë prej 45 miliardë dollarësh për Ukrainën.
“Rusia përpiqet të përdorë dimrin si një armë, por ukrainasit vazhdojnë të frymëzojnë botën me guximin dhe qëndrueshmërinë e tyre. Këto janë 300 ditë sulmi brutal dhe të pajustifikuar, vështirë të besohet”, – komenton Presidenti Biden.
Dy liderët ishin takuar për herë të fundit në Zyrën Ovale në shtator 2021, kur pushtimi i Rusisë ishte vetëm një kërcënim.
Atë herë Zelenski kishte veshur një kostum blu dhe një kravatë të së njëjtës ngjyrë, pamje të relaksuar dhe fytyrë të rruar pastër.
Në këtë vizitë, fytyra e tij ndryshon edhe falë uniformës tashmë ikonike ushtarake.
Biden nënvizon gjithashtu se “NATO, SHBA dhe Evropa nuk kanë qenë kurrë kaq të bashkuara në mbështetjen e Kievit” dhe se ai nuk sheh “çarje” në frontin perëndimor, por më pas kujton “orët e kaluara për të bindur liderët evropianë për nevojën për të armatosur Ukrainën. “Evropa ka frikë nga Lufta e Tretë Botërore, por pastaj… Drita do të mbizotërojë mbi errësirën, shpresa do të mbizotërojë mbi dëshpërimin. Ky vit ka sjellë vuajtje të jashtëzakonshme për popullin ukrainas, por dua t’ju kujtoj se Shtetet e Bashkuara janë me ju dhe do të jenë me ju për aq kohë sa të duhet”, – thekson Biden.
Zelensky, pavarësisht se nuk ka marrë super raketa nga SHBA-të të afta për të goditur deri në 300 kilometra larg, pra në territorin rus, falënderon Bidenin nga thellësia e tij për raketat “Patriot” që “do të forcojnë ndjeshëm mbrojtjen tonë ajrore”.
“Dërgimi i tyre nuk është një përshkallëzim, ato janë sisteme mbrojtëse”, sqaroi presidenti, duke i mbyllur gojën atyre që argumentojnë se nuk duhet të furnizojnë Kievin me shumë armë.
Për sa i përket përfundimit të konfliktit, lideri ukrainas nuk ka dyshime se në fund Ukraina do të mbizotërojë. “Unë me të vërtetë dua të fitoj. Jo vetëm që e dua, por jam i sigurt për këtë”, deklaron ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje