Bota

Zelensky parlamentit italian: Ukraina, portë hyrëse për në Europë për ushtrinë ruse

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy ka mbajtur sot, në mënyrë virtuale, një fjalim para parlamentit italian. Gjatë fjalës së tij, ndër të tjera lideri ukrainas tha se vendi që ai drejton është portë për ushtrinë ruse dhe se rezistenca që ata po bëjnë është duke e mbajtur barbarizmin jashtë Europës.

Ai u ka thënë deputetëve italianë se shteti i tij është në prag të mbijetesës së luftës me Rusinë dhe ka paralajmëruar se Moska dëshiron të depërtojë në pjesën tjetër të Europës.

“Po ju flas nga Kievi, i cili është si Roma për ju, një qendër kulture që tani duhet të jetojë në paqe.  Ukraina është porta për ushtrinë ruse dhe ata duan të hyjnë në Europë, por barbaria nuk hyn në Europë. Qëllimi i Putinit është Europa, të ketë kontroll mbi jetën tuaj, mbi politikën tuaj”.

Mes të pranishmëve në parlamentin italian ishte edhe kryeministri i vendit Mario Draghi, i cili i tha Zelensky-t se Italia i është mirënjohëse. Populli ukrainas sipas tij, nuk po mbron vetëm veten por edhe “paqen tonë”.

Presidenti ukrainas ka përsëritur thirrjet e bëra në adresimet para parlamenteve të shteteve tjera, që Rusia të sanksionohet më shumë.

Kryeministri italian, Mario Draghi, ka thënë se shteti i tij dëshiron ta shohë Ukrainën në Bashkimin Europian dhe se duhet ofruar ndihmë ushtarake për të, në mënyrë që të ndalen masakrat.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë