Vazhdon debati në Gjermani pas protestave të fundjavës në Berlin ku krahas kundërshtarëve të kufizimeve të COVID-19 morën pjesë edhe ekstremistë të djathtë dhe anarkistë. Një pjesë e ekstremistëve të djathtë dhe anarkistëve “Reichsbürger” që nuk e njohin Gjermaninë si shtet, iu vërsulën edhe Bundestagut e arritën të ngjisnin disa shkallë e të ngrinin flamurin e tyre me ngjyrat e zeza të bardhë e të kuqe. Policia arriti t’i zmbrapsë turmat e protestuesve që synon Bundestagun.

“Keqpërdorim i ndërtesës së Bundestagut”
Reagime të ashpra kanë ardhur nga politika gjermane pas zhvillimeve në fundjavë. Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier i dënoi sulmet ndaj Bundestagut, që ai i cilësoi si “sulm të padurueshëm ndaj demokracisë sonë. Këtë nuk do ta pranojmë kurrë.” Steinmeier do të presë edhe policët që u angazhuan para Bundestagut. Presidenti i Bundestagut, Wolfgang Schaäuble i cilësoi si “të neveritshme atë që ndodhi aty”. Por në tërësi policia e Berlinit “e përballoi mirë situatën”, tha Schäuble.
Ministri i Punëve të Brendshme, Horst Seehofer tha se është e padurueshmë që kaotikët dhe ekstremistët të keqpërdorin ndërtesën e Bundestagut për qëllimet e tyre. “Pluraliteti i mendimit është shenjë e shëndetit të shoqërisë sonë. Liria e grumbullimit i ka aty kufiijtë e saj, ku rregullat e shtetit shkelen me këmbë.”

Politikani socialdemokrat e kandidat për kancelar i sociademokratëve, Olaf Scholz tha se “ligji ynë kushtetues garanton lirinë e mendimit dhe të demonstrimit”, por simbolet e nazistëve nuk kanë ç’kërkojnë para Bundestagut gjerman, tha ai. Kreu i Komisionit të Jashtëm parlamentar, Norbert Röttgen, tha se “këto pamje janë turpëruese”.
Kreu i grupit parlamentar “E Majta”, Dietmar Barsch kërkoi të nderohen policët që mbrojtën hyrjen e parlamentit. “Veçanërisht polici pa helmetë, ai meriton nderimin më të madh.”
Edhe kryetarja e grupit parlamentar të AfD-së, Alice Weidel i kritikoi zhvillimet e fundjavës. “Është e papranueshme që disa kaotikë pas demonstratës paqësore të Coronës në Berlin i thyen disa pengesa të vendosura nga policia.” Kurse politikanë të partisë Kristiansociale, CSU dhe Të gjelbrit janë shprehur për të zgjeruar kufizimin e demonstratave në afërsi të Bundestagut. Pata mësymjes së parlamentit të shtunën, sipas llogaritjeve të policisë, afër 40.000 vetë nga e gjithë Gjermania ishin në rrugë për të protestuar kundër politikës së qeverisë për COVID-19. Në demonstrata u plagosën 33 policë dhe u ndaluan 316 vetë. Kundër 131 vetëve u ngri padia. /DW
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje