“Këtu është zemra e fitores!”. Me këto fjalë mes të tjerash, Kryeministri Edi Rama mbylli fushatën elektorale në Vlorë, ku kandidon si i teti në listën.
I kënaqur nga pjesëmarrja e qytetarëve që kishin dalë në shesh, Rama tha: “Kush do të dijë rezultatin e 25 prillit duhet vetëm të më besojë që nga këtu unë mendoj duke parë të gjithë këtë rreth se nuk kemi parë gjë akoma”.
Por, veten e përfshin te pjesa e shqiptarëve të pakënaqur me aq sa ka bërë Qeveria e tij në këto dy mandate.
“Kush është i pakënaqur si unë duhet të zgjedhë që pakënaqësinë të kthejë në forcën e karakterit dhe zgjedh 12-ën! Kush pakënaqësinë e ka të pamundur të mundë, nuk ka problem”, tha ai.
Sipas Ramës, përplasja e armatosur në Elbasan provoi që pas “europianit” Lulzim Basha qëndron e njëjta Parti Demokratike.
“Sot Lulzim Basha i okllaisur e me gojën me sheqer gjithë këtë kohë…u desh vetëm një ngjarje për të zbuluar se janë të njëjtët. Janë po ata!”, tha ai.
Në shënjestër të Ramës ishte edhe Presidenti Ilir Meta, që ditën e zgjedhjeve ka premtuar se do të jetë në Vlorë.
“Tregojini Ilir Metës se Vlora e ka ndarë mendjen të ngjitet dhe kush vjen ta kapë prej këmbësh e ta rrëzojë i thyen hundët”, tha ai.
Kujdes nuk kërkoi vetëm nga Meta.
“Kujdes edhe me 9-ën se ngatërroheni, se 9 bëhet 6. Ti voton Lulin dhe të del Monika! Voton 6 dhe të del Iliri e Saliu”, vijoi Rama.
Te Presidenti, Kryeministri kishte vënë re një zbutje tonesh.
“Sot fliste për festë demokracie të dielën. I kishte harruar sfurqet e sëpatat dhe ishte bërë goxha i matur. Ja kam thënë, Like lërë rakinë para se të ta nxjerrin të tjerët se kur ta nxjerrin të tjerët është problem i madh. Like, dëgjoje vajzën! Shko në shtëpi! Mos pi më! Vlora do të ndihmojë të gjesh rrugën e shtëpisë dhe keni për ta parë ju se të tërë ata trima do të bëhen lepuj siç i keni bërë ju kur keni vendosur të thoni fjalën tuaj”, u shpreh Rama.
Vlora, tha Kryeministri, do të jetë 12 herë më mirë se sot në fund të mandatit të ardhshëm. Ai premtoi gjithashtu edhe përfundim të digjitalizimit të shërbimeve shtetërore brenda 2-3 viteve.
Në fund të fjalës së tij Kryeministri Edi Rama ftoi në skenë familjen që të ngjiten në podiumin para mbështetëseve. Aty ishte edhe Zaho, djali i tij i vogël.
“Mirëmbrëma! Unë dua Vlorën”, tha Zaho!
“Zaho e do Vlorën! Vlorën e do e gjithë Shqipëria dhe më 25 prill Vlora do të vulosë ngjitjen e Shqipërisë në një majë tjetër”, tha Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje